Këtë të premte mbahet protesta e 97-të para Kryeministrisë.
Gjatë protestës, aktivistja Arvina Lleshi u ndal të fliste për arrestimin e protestuesve, mes të cilëve ishte edhe ajo vetë.
Aktivistja tha se do të vijojë të marrë pjesë në protestë për sa kohë ajo zhvillohet në mënyrë paqësore dhe se nuk intimidohen nga presionet dhe arrestimet në polici.
“Unë u arrestova me urdhër nga shefi i krimit, Ervin Hasrama. Po protestoja paqësisht pranë Kryeministrisë, ku ai erdhi dhe u dha urdhër vartësve të tij, duke iu thënë. “Kapeni këtë vajzën dhe arrestojeni”. Që, në fakt, ky arrestim ishte i paligjshëm dhe u vendos sot nga Gjykata e Tiranës. Jo vetëm për mua, por për 14 protestues në total. Nëse keni menduar se mund të na intimidoni me forma të tilla presioni, me arrestime, me shoqërime, po jua them publikisht se nuk ia dilni dot.
Jam këtu për t’ju thënë se unë, si çdo protestues tjetër, do të dal çdo ditë në protestë, për sa kohë kjo protestë është paqësore dhe i shërben vetëm të drejtave tona. Kemi qenë duke protestuar paqësisht, as nuk kemi dhunuar policë, as nuk i kemi ofenduar, përveçse kemi bërë protestën dhe thirrjet si çdo natë. Policia, nëse nuk është polici e krimit, nuk ka pse të ndihet e ofenduar nga thirrjet që bëjnë protestuesit”, tha aktivistja.