Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli ka dalë në një konferencë për mediat pasditen e kësaj të marte, lidhur me bllokimin e aksit rrugor aksit Librazhd-Prrenjas.
Kozeli tha se është marrë vendim për të ndërtuar një rrugë alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, derisa të stabilizohet situata me rrëshqitjet. Po ashtu drejtuesi i ARRSH komunikoi vendimet për të prishur urën e dëmtuar si dhe devijimin e rrjedhës së lumit, që aktualisht godet trupën e hekurudhës.
“Nga analiza e kryer rezulton se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë, erozioni lumor, si dhe saturimi masiv i tokës, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme derisa të merren rezultatet e raportit gjeologjik. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Teknik të përbashkët midis ARRSH dhe Hekurudhës Shqiptare, me pjesëmarrje edhe të stafit akademik nga Fakulteti i Gjeologjisë së Ndërtimit, gjeologëve, projektuesve dhe mbikqyrësëve të ngarkuar, u morën këto vendime: Ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin për të mundësuar kalimin e trafikut deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes. Prishja e urës ekzistuese, tashmë jashtë funksionit dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur, deri në krijimin e një skarpate natyrale që do mundësojë ndërhyrjen me mjetet e shpimit. Është vendosur sistemi dhe disiplinimi i të gjithë ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupën e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj”, tha Kozeli.
Kreu i ARRSH-së shtoi se “aksi Librazhd–Prrenjas është një segment me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pasi të kemi garantuar stabilitet afatgjatë të terrenit dhe të infrastrukturës”.
I pyetur nga gazetarët se për sa kohë do të përfundojë ndërtimi i rrugës së re alternative, kreu i ARRSH-së:
“Ky aks i ri është me gjatësi minimumi 1.3 kilometra dhe nuk mund të themi një afat kohor. Lidhur me inertet, e mohoj që fenomeni të ketë ndodhur për shkak të marrjes së inerteve.”
Në këtë konferencë për mediat, kanë marrë fjalën edhe Ergys Verdho, drejtor i Hekurudhave Shqiptare, si dhe Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.