
Kushtetuesja ka konstatuar se vendimet e gjykatës bien ndesh me aktin themeltar të shtetit, pra Kushtetutën sepse Emiljano Shullazit i është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor.
Shullazi është në vitin e dytë të qëndrimit në këtë regjim dënimi. Vendimi për izolimin e tij në ’41 biss’ u miratua nga Ministria e Drejtësisë.
Në regjimin e burgut të egër janë izoluar deri më tani, Emiljano Shullazi, Endrit Qyqja, Genci Balla, Arbion Aliko, Redjan Rraja, Fatmir Pjetri, Arbër Cekaj dhe Aleksandër Llanaj.
Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale.
Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.
Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.