
Policia ka arrestuar sipërmarrësin, Leonard Gjini, në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në 1 Mars në Lushnje ku shpërthimi në një kapanon në ndërtim i mori jetën 2 personave dhe plagosi 7 të tjerë.
32-vjeçari Gjini është vënë në pranga me urdhër të prokurorit për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda.
Burime për VoxNews thanë se sipërmarrësi, Leonard Gjini ende nuk kishte nisur punën në kapanonin në pronësi të deputetit, Bujar Çela.
Sipas policisë, ai ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonin dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpërthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Uniformat blu po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.