Një grup kriminal është goditur nga Policia e Vlorës, duke arrestuar një person dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim.
Më konkretisht, në pranga është vënë shtetasit Denis Karafili 29 vjeç, ndërsa janë shapllur në kërkim shtetasit: Inez Hajrulla 30 vjeç, Olsi Koçeli 33 vjeç, Erand Hoxha 32 vjeç dhe Klaus Islamaj 31 vjeç.
Të pestë këta shtetas janë pjesëtarë të një grupi kriminal me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit.
"Në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti tip “Toyota”, pasi kishin dyshime se me të qarkullonin shtetas me precedent kriminal që mund të mbanin sende të kundërligjshme.
Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi me automjet, bashkë me pasagjerët, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të automjetit tip “Toyota”, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullonin me këtë automjet.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe me miratim të organit të procedurës u ushtruan kontrolle intensive, në ambiente të ndryshme dhe në banesat e tyre, me qëllim kapjen e këtyre shtetasve dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, nisur dhe nga informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi kriminal dhe mund të fshihnin sende të kundërligjshme në banesat e tyre.
Në vijim të veprimeve u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i njërit prej 5 personave që qarkullonin me automjetin tip “Toyota”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Olsi Koçeli dhe në biznesin (servis automjetesh) e shtetasit Denis Karafili, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan veshje (uniforma) dhe radio si të Policisë, 1 jelek antipulmb, targa automjetesh të dyshuara të vjedhura, një shumë parash, municion luftarak, dhe sende të tjera, që dyshohet se i shërbenin veprimtarisë së grupit kriminal në të cilin bënin pjesë këta shtetas." thuhet në njoftimin e bluve të qytetit bregdetar.
Policia njofton se vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.