Ekzekutohet në derë të shtëpisë ish-polici i Burgjeve Gentian Bejtja, ish-miku i Durim Bamit dhe Enver Stafukës

15 March 2024, 16:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekzekutohet në derë të shtëpisë ish-polici i Burgjeve
Gentian Bejtja

Është vrarë në oborrin e shtëpisë së tij ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak çaste më parë në Larushk të Fushë-Krujës.

Mësohet se persona të paidentifikuar e kanë qëlluar me breshëri plumbash, sapo ka hyrë në banesën e tij në Larushk.

"Më datë 15.03.2024, në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi G. B. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar", thotë policia në njoftimin e saj paraprak.

Bejtja i kishte shpëtuar më herët tre atentateve, ndërsa vetëm një vit më parë ai ra pre e një atentati ku humbi jetën vëllai i gruas Ramazan Sino, si dhe u plagosën dy fëmijët e tij, 13 dhe 8 vjeç.

Bejtja ishte njëri nga personat e fundit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ai të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën 8 shkurtit 2015.

I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 42-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, dhe jo vetëm.

Ndërsa vëllai tjetër i Durim Bamit, Valter Bami ka pasur përplasje të forta me Gentian Bejtjan vitet e fundit pasi dy vëllezërit Bami kishin dyshime të forta se Bejtja mund të fliste dhe të dëshmonte për shumë krime të rënda që kanë ndodhur në zonën e Krujës.


Video