Drejt zbardhjes vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, hetuesit kanë gjetur profil ADN-je të autorit

3 May 2025, 22:37Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drejt zbardhjes vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, hetuesit kanë gjetur
Në foto, viktima e atentatit te “Pallati me Shigjeta”, 56 vjeçari Bujar Nasufi

Rreth 4 muaj pas vrasjes së biznesmenit, Bujar Nasufi në rrugën “Myrteza Zeneli” në kryeqytet, Policia e Tiranës ka në duar profilin e ADN-së së autorit.

Kjo provë me tepër vlerë për hetuesit është përftuar në një dorezë gjysmë të djegur që dyshohet se i përket vrasësit, e sekuestruar në Kodrat e Sharrës, pikërisht në vendin ku u gjet i shkrumbuar motori i përdorur në krim.

Profili i përftuar është dërguar për krahasim pranë Interpol, me qëllim për të kuptuar nëse ai ka përputhshmëri me ADN-në e ndonjë personi të skeduar më herët nga autoritetet shqiptare, por jo vetëm.

Bujar Nasufi u ekzekutua mbrëmjen e 12 janarit në Tiranë. Ai u qëllua me breshëri automatiku sapo mbërriti në vendparkimin pak metra larg banesës së tij.

56-vjeçari ishte biznesmen në fushën e mobilerisë. Ai nuk rezultonte person me precedent penal, por pavarësisht kësaj policia po punon në disa pista për zbardhjen e ngjarjes.

Burime pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se ngjarja ka dyshime të ketë ardhur si pasojë e ndonjë konflikti që viktima ka patur në të shkuarën.

Konkretisht bëhet fjalë për konflikte që lidhen me motive pronësie.


Video