Dëshmia e Artan Tafanit: Si iu vendos tritoli biznesit të Noizyt. Laerti dhe Klevio janë rritur bashkë...

14 May 2026, 11:30Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dëshmia e Artan Tafanit: Si iu vendos tritoli biznesit të Noizyt.
Noizy, Laert Haxhiu, Kleviol Ahmeti

Artan Tafani i penduari i drejtësisë po dëshmon sot në procesin penal ndaj kreut të bandës Laert Haxhiu.

Tafani ka rrëfyer para togave të zeza ngjarjen kriminale që lidhet me tritolin e vendosur në biznesin e reperit Noizy.

Këtë dëshmi i penduari i drejtësisë e ka dhënë dhe më herët në procesin ku gjykohen të pandehurit e tjerë.

"Kemi ndenjur në Astir. Gjatë kësaj kohe, Laerti ndiqte TikTok-un. Kleviol Ahmeti është nga Lushnja, në lagjen e Laertit. Atë ditë, Kleviol Ahmeti ishte zënë me Noizy-n. Ishin ofenduar në TikTok. Më pas kishin shkuar edhe te lokali dhe ishin konfliktuar fizikisht.

Klevioli dhe Laerti janë rritur bashkë. Laertit nuk i erdhi mirë që ishte rrahur Klevioli. Laerti po thoshte: “T’i vendosim tritol Noizy-t, pse e ka rrahur Kleviolin.”

Vëllai i Laertit, Luisi, po diskutonte nga Gjermania në kamerë me Laertin. I tha vëllai: “Çfarë bëni? Mos bëni gabim t’ia vendosni.” Në një moment e lanë bisedën.

Mori nëna e Laertit në telefon. Po diskutonin për goditjen e Kleviolit. “Gjynah si e goditi Noizy Kleviolin.” Më tha mua dhe Lulzimit: “Çohuni, vendosjani tritolin.”

E bëmë gati. Kishim tritol në shtëpi. “Shkoni në orën 4”, tha. Tritolin e merrnim në Tepelenë. E izoluam me ngjitës, ishte në pako 100-200 gramëshe dhe i bashkova.

U nisëm, përgatitëm makinën dhe ikëm me makinën time. Lulzim Spahia e dinte lokalin. Shkuam atje dhe parkova afër lokalit. Laerti na tha t’ia hidhnim tritolin brenda në lokal. Nuk po gjeja nga shkallët se nga të hyja në katin e dytë. U ktheva prapë te makina dhe i thashë: “Ta vendos te dyqani i rrobave poshtë?” “Mirë”, tha, “vendoseni te dyqani.”

E vura te dera, ndeza fitilin dhe ika. Rrugës dëgjuam shpërthimin. I shkruam Laertit që e vumë. Më pas u kthyem në Astir.


Video