Personi që shihni në foton e mësipërme është 33-vjeçari Hektor Ndoka. Ai është arrestuar nga policia spanjolle pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për planifikimin e vrasjes së Preng Palucës.
Ai u kap në Madrid dhe është me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si i përfshirë për një seri ngjarjesh të rënda në vend. Bashkë me të u kap dhe Edmir Vlashin, bashkëpunëtor në planifikimin e vrasjes së Preng Palucës dhe i shpallur në kërkim për këtë ngjarje.
Mediat spanjolle raportojnë se pas arrestimit, policia i gjeti Hektor Ndokës edhe tre armë zjarri dhe municion luftarak. 33-vjeçari së bashku me Edmir Vlashin, u shpall në kërkim më 8 Dhjetor të 2021 nga policia e Lezhës.
Të dy këta persona, lidhje shoqërore e njëri-tjetrit, kishin planifikuar vrasjen e Preng Palucës në Tiranë, ngjarje kjo që nuk u finalizua. Shkak u bë një konflikt për prishje të pazareve të drogës jashtë shtetit.
Në atë kohë krahas shpalljes në kërkim të Ndokës dhe Vlashit, policia sekuestroi mina me telekomandë, automatikë, kallashnikovë e municione të shumta luftarake.
Pas arrestimit nga policia spanjolle të Hektor Ndokës dhe Edmir Vlashit, kanë nisur dhe procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Çfarë ndodhi në vitin 2021?
Kujtojmë se Preng Paluca i shpëtoi një atentati për herë të tretë në vitin 2021. Atentati i organizuar ndaj tij, me mina me telekomandë, të ideuar në Lezhë nuk u finalizua dot, pasi u vunë në pranga Nikoll dhe Marie Marku.
Grupi i vrasësve me pagesë, Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, bashkë me çiftin Nikoll dhe Marie Marku, ishin paguar për të hequr qafë njëherë e mirë, Preng Palucën.
Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, tashmë të arrestuar kanë pasur që më herët konflikte me vëllezërit Paluca në Kamëz. Shkak për konfliktin e nisur mes palëve, dyshohet se është bërë prishja e pazareve të drogës në Belgjikë.