Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën me lutje, paqe dhe dashuri. Rama ndan videon e veçantë

5 April 2026, 08:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën me lutje, paqe dhe
Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën

Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkën, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar.

Kremtimet nisën mbrëmjen e së Shtunës së Madhe, që i paraprin Natës së Shenjtë të Pashkës, ku besimtarët pritën aktin më të rëndësishëm të festës: ngjalljen e Jezu Krishtit.

Në Katedralen e Shën Palit, ceremonia u zhvillua në një atmosferë të veçantë, mes lutjesh dhe këngësh liturgjike, teksa Arqipeshkvi i Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, në fjalën e tij vuri theksin te paqja, dashuria dhe solidariteti si vlera themelore që duhet të udhëheqin shoqërinë.

Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, kishat e kryeqytetit dhe të gjithë vendit u mbushën me besimtarë, të cilët morën pjesë në meshën solemne të organizuar me rastin e ringjalljes së Krishtit, ku klerikët bënë thirrje për më shumë mirëkuptim dhe shpresë në këto kohë sfiduese.

Jashtë ambienteve të kishave, besimtarët uruan njëri-tjetrin me dëshirën për shëndet, lumturi dhe harmoni në familjet e tyre!

Pashkët vijojnë të mbeten një festë që bashkon besimtarët, duke sjellë një mesazh të fortë shprese dhe ripërtëritjeje shpirtërore.

Pashka është festa më e rëndësishme e besimit të krishterë dhe në të besimtarët përkujtojnë ringjalljen e Krishtit, tre ditë pas kryqëzimit, duke simbolizuar fitoren e jetës mbi vdekjen, shpresën dhe rilindjen, faljen dhe besimin. Krahas lutjeve dhe reflektimit, në shtëpitë e besimtarëve të krishterë gjatë kësaj dite nuk mungon dreka festive dhe vezët e kuqe si simbol i kësaj feste.

Presidenti Bajram Begaj, ka uruar besimtarët për festën e Pashkës, duke theksuar mesazhin e shpresës, dashurisë dhe besimit.

Ai shkruan se Pashka simbolizon fitoren e së mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën dhe të jetës mbi vdekjen. Uron që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, gëzim dhe bekime në çdo familje shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka bërë një urim të veçantë.

“Gëzuar Ditën e Re”, shkruan ai në rrjetet sociale krahas videos së mëposhtme të realizuar me Inteligjencë Artificiale.

 


Video