Autoriteti i Mediave Audiovizive AMA ka nisur luftën kundër piraterisë duke zbuluar një server që ndodhej në Shqipëri, ku përfshiheshin platformat shqiptare, TRING e DIGITALB, bashkë me kanalet sportive përkatëse. Gjithashtu transmetoheshin edhe kanale sportive ndërkombëtare.
“Ekipet e inspektimit të AMA-s janë çdo ditë të javës në terren. Lufta që i kemi shpallur piraterisë dhe bashkëpunimi me operatorët e ndershëm dhe të ligjshëm na forcojnë bindjen se, bashkë me ta, mund ta luftojmë me sukses këtë fenomen.
Gjatë ditës së djeshme, si rezultat i inspektimeve në terren, është konstatuar një Server OTT (OVER THE TOP), i arritshëm nga të gjithë rrjetet e internetit me web adresë: http://loc.ipalfa.org, i cili i përket IP adresës 80.91.126.169. Provat teknike të kryera në terren vërtetuan se në këtë server, i cili ndodhet në Shqipëri, përfshiheshin platformat shqiptare, TRING e DIGITALB, bashkë me kanalet sportive përkatëse. Gjithashtu transmetoheshin edhe kanale sportive ndërkombëtare: Arena Sport 2, Arena Sport 3, Arena Sport 4, Bein Sport 3, Bein Sport 4, Bein Sport 5, Bein Sport 6, Bein Sport 7, DAZN 4.
AMA ia ka nisur këtë adresë AKEP për masa të mëtejshme, në të gjithë territorin e vendit.
Ky është një aksion që vazhdon dhe nuk do të ndalet”, shkruan në rrjetet sociale Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s.