Autoritetet britanike kanë goditur së fundmi një bandë kriminale shqiptare me bazë në Londër e cila ndihmonte emigrantë shqiptarë që të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt një pagese të caktuar.
Dy shqiptarët që janë vënë në pranga nga rasti në fjalë janë: Toni Liko, 42 vjeç, Klement Gjika, 44 vjeç dhe rumuni Stelian Bodnariu, 37 vjeç.
Treshja në fjalë mësohet se u kërkonin individëve deri në 11 mijë paund për person, për të kaluar kufirin në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasi u përballën me togat e zeza, drejtësia angleze ka dhënë dënimin për shqiptarët. Toni Liko dhe Klement Gjika u dënuan secili me nga 5 vite e 8 muaj burg, ndërsa Stelian Bodnariu me 3 vite e 4 muaj.
Në hetime të shtrira gjatë një periudhë kohore prej 18 muajsh, hetuesit e Metropolitan Police zbuluan se grupi kriminal kishte arritur të kalojë në Londër të paktën 20 shtetas shqiptarë. Por dyshimet janë se numri i shtetasve që kanë kaluar kufirin ilegalisht është shumë më i lartë.
Goditja e grupit u realizua pasi policia ndoqi lëvizjet e automjeteve, analizoi kamerat e sigurisë në stacionet e shërbimit dhe përdori metoda survejimi për të identifikuar drejtuesit e grupit.
Dy shqiptarët dhe rumuni u arrestuan më 18 qershor të vitit të kaluar. Ndërsa hetimet zbuluan mesazhe që tregonin koordinimin mes trafikantëve dhe shoferëve të kamionëve për organizimin e transportit.