Ukraina para muajve të vështirë

12 October 2026, 21:36Kosova&Bota SHKRUAR NGA ENVER ROBELLI

Ukraina para muajve të vështirë

Në front, ushtria kriminale e Vlladimir Putinit nuk po arrin sukseset e dëshiruara. Edhe kur shënon ndonjë përparim, ai është milimetrik. Përballë kësaj situate, diktatori rus po e zgjeron luftën duke vënë në shënjestër civilët dhe infrastrukturën. Në mes të ditës po sulmohen ura në Kiev. Rusia ka luftuar kështu në Çeçeni dhe Siri - pa asnjë mëshirë ndaj popullsisë civile. Sipas OKB-së, numri i viktimave civile në Ukrainë në tetë muajt e këtij viti është 55 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Qëllimi i Putinit është ta gjunjëzojë Ukrainën. Strategjia e tij është terrori.

Ukraina gjendet para muajve të vështirë. Donald Trumpi, ndërkaq, gjendet para zgjedhjeve të mesmandatit (midterms). Lufta e tij kundër Iranit, deri më tani, nuk doli të ishte një shëtitje e lehtë. Mullahët e Teheranit bllokuan Ngushticën e Hormuzit dhe kësisoj penguan qarkullimin e anijeve që transportojnë naftë. Kjo shkaktoi rritje masive të çmimeve të derivateve të naftës gati kudo në botë. Këtë javë, Trumpi i telefonoi Kremlinit dhe i kërkoi Putinit naftë. Bosi i Kremlinit u tregua menjëherë zemërgjerë. Trumpi i pezulloi pjesërisht sanksionet. Sipas Trumpit, në SHBA dhe në tregun botëror do të vihen në dispozicion 300 mijë tonë dizel. Shpresa e Trumpit është e qartë: t’i fitojë zgjedhjet me naftën e Putinit.

Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Selenski, i cili dikur ishte dëbuar nga Shtëpia e Bardhë në mënyrë mjaft brutale, e kritikoi pazarin Trump-Putin për naftën. Bisedimet mes delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Florida u ndërprenë para kohe.

Siç pritej, shpërtheu edhe Trumpi. Ai kërkoi që Ukraina të zgjedhë një president tjetër. «Unë sugjeroj që të gjejnë një udhëheqës të ri, i cili është në gjendje të arrijë një marrëveshje», tha Trumpi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, «dreqi e marrtë», shtoi ai, Selenski duhet t’i ndalë sulmet kundër rafinerive ruse. Trump nuk kërkoi nga Putini të ndalë sulmet, as të fillojë negociatat për paqe. Selenski ka treguar gatishmëri për bisedime, Putini jo.

Një ndryshim në krye të shtetit ukrainas nuk është i mundur, pasi, sipas Kushtetutës, zgjedhjet përjashtohen në kohë lufte. Por Trumpi nuk bëhet merak për këtë.

Një vit më parë, Trumpi e inkurajoi Ukrainën t’i intensifikonte sulmet ndaj rafinerive ruse. Qëllimi ishte dobësimi i ekonomisë ruse, për ta shtyrë Putinin të ulej në tryezën e bisedimeve. Shefi i Kremlinit nuk lëshoi pe, ndër të tjera edhe për shkak se politika e Trumpit ndaj Ukrainës është e pavendosur.

Trumpi e ka pezulluar një herë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Kievin. Tani, nga administrata amerikane vijnë kërcënime se kjo mund të ndodhë sërish.


Video