U kërcënua se do ekzekutohet nga Irani, ministri amerikan strehohet në një bazë ushtarake

11 Nëntor 2026, 15:14Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

U kërcënua se do ekzekutohet nga Irani, ministri amerikan strehohet

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent është zhvendosur nga banesa e tij në Uashington drejt një baze ushtarake, pas kërcënimeve të dyshuara nga Irani ndaj jetës së tij.

Lajmi është raportuar nga gazeta amerikane “New York Times”, e cila citon zyrtarë të njohur me çështjen. Sipas tyre, autoritetet amerikane kanë arritur në përfundimin se planet e dyshuara iraniane kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë kanë avancuar në një fazë më të rrezikshme.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se niveli i saktë i kërcënimeve ndaj Bessent nuk ishte bërë ende i qartë.

Sekretari i Thesarit ka qenë në krye të operacionit të nisur në gusht nga Departamenti amerikan i Thesarit, me synimin për të izoluar ekonomikisht Iranin përmes sanksioneve dhe masave të tjera financiare, krahas veprimeve ushtarake amerikane.

Zhvendosja e tij vjen në një kohë kur Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të martën në mbrëmje ngritjen e akuzave terrorizmi ndaj tre shtetasve iranianë. Sipas autoriteteve amerikane, ata dyshohet se janë përfshirë në afro 20 sulme dhe tentativa sulmesh në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Mes komploteve të dyshuara përfshihet edhe një incident i shtatorit 2026, që kishte në shënjestër bazën ajrore RAF Fairford në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishin të dislokuar personel ushtarak amerikan.


Video