Policia e Vlorës ka zhvilluar një aksion në lidhje me ngjarjen e së hënës, ku automjetit të kryetarit të Njësisë Administrative Shushicë, Igli Bimaj, iu vendos një sasi e dyshuar lënde plasëse, tritol.
Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, gjatë operacionit janë shoqëruar 4 persona, ndërsa dy prej tyre mësohet se janë vënë në pranga. Të ndaluarit dhe të arrestuarit dyshohet se janë nga Tirana.
Njëri prej të arrestuarve dyshohet se është personi që ka vënë lëndën plasëse, ndërsa tjetri dyshohet të jetë personi që ka ndihmuar autorët të largohen me makinë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, mësohet se policia ka bllokuar edhe një automjet, i cili mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar rolin e personave të shoqëruar në vendosjen e lëndës plasëse.