Pas vitesh në heshtje dhe larg vëmendjes publike, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla thyen heshtjen dhe rikthehet me një intervistë ekskluzive për Top News.
Nga Roma, përballë gazetares Anisa Bahiti, Llalla pranon të flasë për herë të parë mbi përplasjen e bujshme me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu, shpalljen e tij “non grata” nga SHBA-të dhe betejën ligjore që pasoi.
Llalla do të jetë i ftuar këtë të premte, në orën 21:00, në emisionin “On the Road” në Top News, në një rrëfim që rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të debatueshëm të drejtësisë shqiptare.
Një nga deklaratat që spikat në këtë intervistë lidhet me shpalljen e tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pyetur nëse Shqipëria mund të përbënte rastin e parë në botë të shpalljes non grata të një zyrtari, Llalla përgjigjet: “Realisht jam rasti i parë në botë”.
Intervista pritet të përqendrohet te dritëhijet e karrierës së tij në krye të drejtësisë, marrëdhëniet me diplomacinë amerikane dhe përballja me zhvillimet që pasuan largimin e tij nga detyra.
Në një moment të intervistës, Anisa Bahiti e pyet drejtpërdrejt: “Po nëse sot do ta kishe përballë ambasadorin amerikan Donald Lu, ka diçka që doje t’ia thoje?”
Përgjigjet e Llallës dhe rrëfimi i tij për këto ngjarje do të transmetohen të premten, në orën 21:00, në Top News, në emisionin “On the Road”, nga Anisa Bahiti.