Prokurori që sfidoi sistemin gjyqësor - Albert Kuliçi fiton në Strasburg, gjykatat shqiptare “injoruan” padinë ndaj KLP-së! 

6 October 2026, 21:11Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Prokurori që sfidoi sistemin gjyqësor - Albert Kuliçi fiton

Një prokuror ka sfiduar hapur të gjithë sistemin e kalbur gjyqësor në Shqipëri, duke paditur në Gjykatën e Strasburgut disa vendime, të cilat e “injoruan” totalisht për të kundërshtuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Albert Kuliçi, aktualisht prokuror në Tiranë, ka punuar për 12 vite me radhë në Prokurorinë e Vlorës, për t’u larguar në vitin 2023.

Para largimit nga ky organ akuze, Kuliçi hodhi kandidaturën për t’u bërë drejtues i Prokurorisë së Vlorës, duke konkurruar me Aurel Zarkën. KLP-ja nisi një verifikim të kandidaturave, gjithashtu edhe një pikëzim, duke renditur të parin Aurelin dhe më pas Albertin. Kjo vendimmarrje ka shkuar më pas në të gjitha hallkat e ankesave, gjithashtu edhe të sistemit gjyqësor.

“Më 3 shkurt 2022, me vendimin nr. 21, miratoi renditjen përfundimtare të kandidatëve në bazë të pikëve të dhëna, duke e vendosur AZ-në të parin dhe aplikantin të dytin. KLP-ja më pas vazhdoi me caktimin e pikëve për secilin komponent të vlerësimit. Në fund, Aurel Zarka mori 218 pikë dhe aplikanti 178 pikë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

Vendimi mund të apelohej në Gjykatën Administrative të Apelit, ku prokurori Kuliçi ngriti një padi. Ai pretendoi se vendimet e KLP-së kishin qenë të paligjshme dhe kërkoi anulimin e tyre, duke i kërkuar gjykatës që t'i drejtonte KLP-së të korrigjonte shkeljet.

“Më 28 prill 2022 , Gjykata Administrative e Apelit e rrëzoi kërkesën e aplikantit. Gjykata vendosi se aplikantit i mungonte një interes legjitim. Kjo për shkak se vendimi i kontestuar nuk e kishte prekur drejtpërdrejt atë dhe nuk kishte prekur të drejtat e tij si prokuror i përfshirë në procedurën e përzgjedhjes”, vijon vendimi.

Më pas, prokurori më datë 6 qershor 2022, paraqiti një ankesë kasacioni në Gjykatën e Lartë, duke u ankuar, ndër të tjera, për kufizimin e të drejtës së tij për akses në gjykatë në lidhje me refuzimin e Gjykatës Administrative të Apeli. Kjo gjykatë e shpalli ankimimin e aplikantit të papranueshëm. Më 9 mars 2023, aplikanti paraqiti një ankesë individuale kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese. Më 17 maj 2023, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ankesën e aplikantit pasi nuk ngrinte ndonjë çështje kushtetuese.

Më pas, çështja shkoi në Strasburg.

“Gjykata konsideron se thelbi i ankesave të aplikantit nuk lidhet me të drejtën për t'u emëruar ose ngritur në detyrë në postin e kryeprokurorit në vetvete , por më tepër me të drejtën për një procedurë të drejtë ngritjeje në detyrë”, thotë Strasburgu.

Sipas saj, as fakti që KLP ushtroi një farë mase diskrecioni në lidhje me hapin përfundimtar të konfirmimit të emërimit, dhe as fakti që vetë ky diskrecion nuk mund të rishikohet nga gjykatat, nuk e mohon argumentueshmërinë e pretendimeve të aplikantit.

“Gjykata është e bindur se në ligjin vendas ekzistonte një ‘e drejtë’ për një procedurë të ligjshme dhe të drejtë ngritjeje në detyrë, dhe një të drejtë që aplikanti ishte në gjendje ta pretendonte”, shkruhet në vendim.

Më pas, Strasburgu u jep një “shuplakë” gjykatave në Shqipëri.

“Gjykata nuk mund të injorojë faktin se gjykatat vendase duket se kanë miratuar interpretime të ndryshme të dispozitave të zbatueshme të ligjit vendas në rrethana të ngjashme”, thotë Strasburgu. Në fund, gjykata njëzëri “e shpall kërkesën të pranueshme” dhe “shteti i paditur duhet t'i paguajë kërkuesit”.

Prokurori që sfidoi sistemin gjyqësor - Albert Kuliçi fiton

Vendimi, më shumë sesa konkurrimi për një post titullari, tregon kalbjen e të gjithë sistemit në Shqipëri. Në këtë vendin tonë s’të jepet as mundësia për t’u ankuar. Të hedhin si leckë dhe të shpërfillin, ndërkohë që një prokuror ka treguar pikërisht sa shkruam më sipër.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Dokumenta bashkëngjitur


Video