Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ngjarjene rëndë të Fierit, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë 28-vjeçar, dyshohet pas një konflikti banal të çastit.
Balla tha se të gjitha forcat e rendit janë angazhuar në një operacion kërkimi, dhe shpreson që ky proces të “konkludojë sa më shpejt”.
“Të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo, se është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi të policisë, më rëndë se kaq, të përdorësh armën”, tha Balla, teksa i bëri thirrje autorit të dyshuar të dorëzohet.
“Rasti në Fier, siç jam informuar deri tani, dua të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej, të nxis Policinë e Shtetit që po bën gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo, se është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi të policisë, më rëndë se kaq, të përdorësh armën. Kam besim që forca kombëtare e sigurisë, RENEA dhe forcat e Policisë së Shtetit, të konkludojnë me këtë proces kërkimi. Këtu dua t’i bëj një thirrje familjarëve dhe personit mbi të cilin rëndon akuza, të dorëzohet”, u shpreh ministri Balla.