Rama sqaron "keqkuptimin" e ministrit Hoxha, nga mediat e Brukselit: Marrëveshja për emigrantët mbetet në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron

12 May 2026, 17:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama sqaron "keqkuptimin" e ministrit Hoxha, nga mediat e Brukselit:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas polemikave të krijuara mbi deklaratat për të ardhmen e marrëveshjes Shqipëri–Itali për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin.

Në një reagim drejtuar mediave italiane dhe ndërkombëtare, Rama ka theksuar se protokolli mes dy vendeve mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë pasiguri politike për vazhdimësinë e tij.

“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, është shprehur Rama.

Debati u ndez pas raportimeve mediatike nga Euractiv, ku thuhej se Tirana nuk do të zgjaste protokollin pas afatit fillestar.

Kjo, pas një deklarate të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.

Më pas, ky i fundit mohoi se Shqipëria ka marrë vendim për të mos e zgjatur marrëveshjen pas përfundimit të afatit pesëvjeçar.

Hoxha tha se gjatë një pyetjeje nga një gazetar në Bruksel mbi mundësinë e rinovimit të protokollit pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare, ai është përgjigjur se nuk ishte i sigurt, duke shtuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata mund të jetë ndryshe.

Sipas tij, deklarata ka qenë thjesht një reflektim spontan dhe jo një vendim apo ndryshim i qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj marrëveshjes. 

"Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”

Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet. Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin.

Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive", shkruan Ferit Hoxha. 


Video