Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar sot në Kuvend mocionin për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Siç bëhet e ditur, në Mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, "se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit."
Grupi i PD-së e akuzon deputetin socialist se nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit. Sipas tyre, përmes 9 transaksioneve, kompanitë në pronësi apo në bashkëpronësi të Sinës kanë përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë.
“Nga verifikimi i transaksioneve të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit rezulton se shoqëria BIG LISUS sh.p.k., ka përfituar 132.520 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e njëzet) lekë nga Buxheti i Shtetit, përkatësisht nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, Qarku Lezhë dhe Federata e Karatesë. Nga verifikimi në regjistrin tregtar të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se shoqëria “BIG LISUS* sh.p.k.. me NIPT 1681065070. është në pronësi të zotit Florian Ndrecaj (24%), zonjës Elona Ndrecai (25%) dhe shoqërisë “BIGALB GROUP” (51%)”. Në vijim të verifikimeve të regjistrit tregtar, shoqëria «BIGALB GROUP” sh.p.k., rezulton se ortak i vetëm është zoti Vullnet Sinaj (100%).
Nga verifikimi i transaksioneve të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit rezulton se shoqëria “BIG DURRËSI” sh.p.k., ka përfituar 129.958 (njëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) lekë nga Buxheti i Shtetit, përkatësisht nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Durrës dhe Qendra Ditore e të Moshuarve “, thekson Grupi i PD në kërkesën për mocionin me debat drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Nga ana e tij, Sina në një reagim në mediat sociale shpjegon se që nga viti 2017 ka hequr dorë nga administrimi i bizneseve të tij dhe se i është përkushtuar vetëm politikës.
Deputeti socialist theksoi se nuk ka përfituar nga buxheti i shtetit as kur nuk ka qenë deputet as pasi u zgjodh si ligjvënës.