Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar nismën ligjore të ndërmarrë nga PS-ja për çështjen e pezullimeve, duke marrë shkas nga rasti i Belinda Ballukut, duke e cilësuar këtë hap si “asgjësim i sistemit të drejtësisë”.
“Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze dhe vjedhjet e pallogaritshme, po kalon në veprime të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten dhe bandën e tij plaçkitëse në qeveri”, tha Berisha.
Në një konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së u shpreh se amendamentet që kërkon të sjellë PS në Kuvend, kanë vetëm një qëllim, “të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale.”
Berisha theksoi se pezullimi nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend, por nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve ndaj zyrtarëve të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur.
“Pezullimi synon mbrojtjen e institucioneve, ligjshmërinë e tyre dhe funksionimin e tyre në përputhje me ligjin”, tha ai.
Berisha: Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze dhe vjedhjet e pallogaritshme, po kalon në veprime të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten dhe bandën e tij plaçkitëse në qeveri.
Amendamentet që kërkon të sjellë pas reagimeve të fuqishme dhe kartonit të zi që iu dha në Bruksel kanë vetëm një qëllim, të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale.
Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërje ndaj qytetarëve është një nen, ligj dhe e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë dhe institucionet e akuzës në çdo vend. Është një e drejtë që ligjvënësit i kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë.
Kjo e drejtë e institucioneve të akuzës dhe gjykatave është e sanksionuar edhe në opinionin e Këshillit të Venecias, në rastin e ligjit të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, duke korresponduar me nenin 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë.
Pezullimi nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend, por nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve ndaj zyrtarëve të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur. Pezullimi synon mbrojtjen e institucioneve, ligjshmërinë e tyre dhe funksionimin e tyre në përputhje me ligjin. Ajo që po ndodh tani është rezultat i një kryehajduti në rreth të kuq i cili ka jo një, jo dhjetë, jo njëqind, por qindra e qindra firma për plaçkitje dhe grabitje, qoftë të taksave tuaja, apo të pasurive publike. Edi Ramës i ka ardhur fundi.