“Në të njëjtin format që iu rezervua Trump-it”, Rama: Të hënën do të mbaj fjalim në parlamentin e Izraelit

22 January 2026, 15:48Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Në të njëjtin format që iu rezervua Trump-it”,
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama njoftoi gjatë seancës së sotme parlamentare se javën e ardhshme do të mbajë një fjalim në parlamentin e Izraelit, ose siç njihet, Knesset.

Ai tha se ky është një nder që i rezervohet dhe do të realizohet në të njëjtin format si ai që kishte presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pak kohë më parë.

“Dua t’ju informoj se të hënën e ardhshme do të kem një tjetër nder të jashtëzakonshëm do i drejtohem Knessetit, parlamentit të Izraeli si kryeministër i Shqipërisë, por pa lejen e këtyre në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohëve presidentit të SHBA-ve si dhe një numri tejet të kufizuarve udhëheqësish të huaj në historinë e atij kuvendi, emrat e të cilëve mund të gjenden lehtësisht, por i japin një përmasë krejt të posaçme privilegjit që më është bërë mua dhe kësaj shumice qeverisëse që mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve për të folur në atë Kuvend”, tha Rama.

Ndërkohë, ai ironizoi deputetët e PD-së në fjalën e tij në kuvend këtë të enjte duke thënë se non grata për Sali Berishën do të hiqet në mars 2025.

“Mos e lini pas dore atë punën e non gratës për mua, se siç ju kanë dalë të tëra fjalët do t’ju dalë fjala edhe për non gratën. Ngërçi i Edi Ramës është se për parlamentin e Shqipërisë ka vetëm një kuotë për non gratë dhe ajo është zënë për meritë. Ai që e ka marrë non gratë e ka merituar në mënyrën më bindëse. Juve do t’ju dalë fjalë që non grata do të hiqet në mars 2025. Pavarësisht që jemi në 2026, do hiqet në mars 2025. Ai që e ka marrë atë kuotën është i paarritshëm në të gjitha pabesitë që i ka bërë popullit shqiptarë dhe kështu që zor shumë që lëviz ajo kuotë”.


Video