Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nga konferenca përmbyllëse e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, ka zgjedhur të flasë edhe për situatën e krijuar në Lindjen e Mesme.
Von der Leyen, theksoi se sytë e botës janë drejtuar për nga konflikti mes Izraelit dhe Hamasit.
Veprimet e këtij të fundit, ajo i cilësoi si mizore dhe i dënoi fuqimisht, duke theksuar se Izraeli ka të drejtën e mbrojtjes.
Por presidentja e KE-së tha se ka persona të pafajshëm në Gaza, që nuk duhet të dënohen për hir të veprimeve të Hamasit.
“Ka palestinezë në Gaza që kanë nevojë në ndihmë emergjente”, tha ajo, ndërsa njoftoi se do të trefishohet ndihma humanitare e unionit në Gaza.
Përveç trefishimit të ndihmës humanitare për civilët në Gaza, “ne po organizojmë një korridor ajror humanitar të BE-së për në Gaza përmes Egjiptit”.
Ndërkaq sa i takon Ballkanit Perëndimor, presidentja e KE-së u shpreh se duhet rritur dhe dyfishuar potenciali dhe ekonomia.
“Ne duhet t’i afrojmë edhe më shumë ekonomitë tona. Dhe përshpejtoni reformat e nevojshme për anëtarësim”.
Ajo theksoi se “duhet të ecim përpara, më shpejt. Le të kapim momentin”.