"Ke 48 orë kohë"/ Berisha thirrje Benet Becit: Tërhiqu nga gara që të të mbetet pak nder

11 May 2023, 20:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Ke 48 orë kohë"/ Berisha thirrje Benet Becit: Tërhiqu
Berisha dhe Benet Beci

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përmbyllur sot fushatën elektorale në Shkodër, me një miting të organizuar bashkë me kandidatët e koalicionit "Bashkë Fitojmë".

Gjatë fjalës së tij, Berisha iu bëri thirrje shkodranëve që të votojnë Bardh Spahinë më 14 maj, i cili tha se qeverisi me një Këshill Bashkiak socialist, por kurrë nuk i konsideroi ata si talebanë.

Sipas Berishës, Bardh Spahia është dhjetë herë më afër shkodranëve se Benet Beci që përfaqëson Edi Ramën. Ai i bëri thirrje kandidatit të PS-së Benet Beci se ka dhe 48 orë kohë që të tërhiqet nga gara.

"Është nder i madh sot të vij këtu te ju për mbështetjen tuaj, për kryetarin e ardhshëm të bashkisë dhe kryetarin aktual, Bardh Spahia. T’u ftoj ju me 14 maj, në traditën tuaj më të shkëlqyer, në përkushtimin tuaj ndaj lirive, dinjitetit tuaj të Shkodrës, të votoni numrin 1. Është vota për pluralizmin politik, është vota për idealet tuaja, asnjë qytet, asnjë komunitet nuk ka sakrifikuar sa ju për pluralizmin dhe vlerat e tij. Merita juaj është se kurrë nuk ia kthyet shpinën, pavarësisht sakrificave që u detyruat të bënit. U ftoj që të votoni Bardh Spahinë, kandidatin e pluralizmit politik. Të votoni njeriun, që gjatë një periudhe të shkurtër që qeverisi, bëri gjithçka për të përmirësuar shërbimet, për të përdorur me transparencë të gjitha burimet e mundshme, bëri gjithçka për të ruajtur dhe mbrojtur dinjitetin e Shkodrës, emrin e saj të madh.
Me 14 maj, ju votoni për Këshillin Bashkiak, por Bardh Spahisë duhet t’i njohim një meritë tjetër. Unë po vij nga Lezha, rrugës shoh që Pjerini kishte shkruar: po vijnë talebanët. M’u kujtua Bardh Spahia që qeverisi me një këshill socialist dhe nuk i cilësoi kundërshtarët si talebanë, por i cilësoi si njerëz me të cilët duhet të negocionte, të bënte edhe kompromise, në mënyrë që bashkia të mbetej e të gjithë qytetarëve të Shkodrës.

Bardh Spahia ka dhënë një provë të madhe dhe unë i garantoj socialistët e Shkodrës se Bardh Spahia është dhjetë herë më afër atyre se Benet Beci që përfaqëson Edi Ramën. Ndaj qytetarët e Shkodrës duhet të votojnë për Bardh Spahinë. Po ia them sërish dy fjalë Benet Becit: ke edhe 48 orë, tërhiqu të të mbetet pak nder. Të ftosh shkodranët që të votojnë për flamurin e Edi Ramës, do të mbetet peng gjithë jetën tënde." deklaroi Berisha.

 


Video