“Ide populiste, kjo është si ajo puna e Nastradinit”, Veliaj shpjegon pse transporti publik falas është i pamundur

12 April 2023, 21:27Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Ide populiste, kjo është si ajo puna e Nastradinit”,
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se sot të gjithë studentët në Tiranë e kanë transportin falas. Në një intervistë për Klan News, Veliaj e krahasoi premtimin e kandidatit të opozitës për transport falas për të gjithë me historinë e Nastradinit. Duke e cilësuar atë të parealizueshëm në praktikë, Veliaj tha se nuk mund të premtosh njëkohësisht edhe të ulësh taksat, por edhe të rrisësh shpenzimet.

“Ishte njëherë Nastradini dhe kishte një gomar. Një ditë pati një ide brilante dhe tha: Po sikur të mos i jap unë ushqim këtij gomari çfarë ndodh? Ky eksperiment i eci mirë nja 30 ditë. Tek dita e 30 i ngordhi gomari dhe nuk kuptonte dot se si një gjë që i funksionoi 30 ditë shumë mirë, si lloci tek dita e 30-të. Kjo është në nivelin e një barsolete. Sot ka transport falas. Studentët sot e kane falas; pra për atë që e bëri për studentët falas, si mendon? Nuk na shkoi mendja që të bëhej falas për të gjithë? Por është e  parealizueshme”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shpjegoi arsyet se përse premtimi për transport falas në kryeqytet është i parealizueshëm.

“Së pari, ti do e marrësh nga taksimi i përgjithshëm që do të thotë: sot 17% e njerëzve udhëtojnë me autobus; 83% nuk udhëtojnë me autobus, 51% ecën në këmbë, 4% me biçikletë dhe pjesa tjetër me makinë. Pra ti po i thua dikujt që po përdor biçikletën, që do të taksoj për një shërbim që nuk e merr dhe ti do i thuash dikujt që thotë, more unë eci në këmbë se kam vetëm një stacion. Pra do e marrësh nga taksimi i përgjithshëm se ato taksat nuk janë një gjë abstrakte. Po si do subvencionosh vetëm biletën? Po llogaritë në banka? Po këta që duhet të paguajnë kreditë e autobusit? Një autobus kushton sot 200-250 mijë euro dhe i përdorur. I riu shkon edhe 500 mijë euro nëse do bësh elektrik. 400 autobusët e Tiranës janë 100 milionë euro që ditën e pare”, tha ai.

Veliaj akuzoi opozitën për populizëm ndërsa tha se edhe në Amerikë transporti nuk është falas.

“Ajo që ne duhet të kuptojmë është që për studentët autobusi është falas. Kjo puna e gënjeshtrave në Amerikë është si ato rrëshqitëset e kalamajve, po i hoqe duart nga rrëshqitësja nuk ndalon deri sa të shkosh në fund. Pra, këta i kanë lëshuar duart tek populizimi. Si i kurseke njeriut 52 mijë lekë, kur abonoja e përgjithshme për të gjithë linjat është 16 mijë lekë të vjetra? Ndërkohë që aboneja vetëm për një linjë është 9 mijë lekë, ndërkohë që studentët e kanë falas. Po kaq mund të mbajë sistemi. Pra, në këtë fazë do bëhemi si gomari i Nastradinit. Do themi mirë, mirë na zgjati 30 ditë, po pastaj?”, deklaroi Veliaj.


Video