
Elisa Spiropali, një emër i rëndësishëm në Partinë Socialiste, papritur gjendet e ndarë brenda shtëpisë së vet politike.
Dhe kjo, vetëm se ka folur pa “lejen” e shefit të madh, Edi Rama.
Është pikërisht kjo arsyeja, që ai vendosi ta shkarkonte si ministre të Jashtme.
Të paktën kështu përflitet, sepse vetë Edi Rama, nuk ka denjuar të japë asnjë shpjegim për largimin e saj nga Qeveria, edhe pse ajo ishte një ndër ministret kryesore.
Jo vetëm për peshën që ka Ministria e Jashtme, por edhe për peshën e saj politike brenda Partisë Socialiste.
Parti, që tani, siç thuhet nëpër korridoret e saj, është gati edhe ta përjashtojë.
Por çfarë ka bërë gabim Spiropali, që e shkarkuan, e mënjanuan nga Tirana dhe janë gati edhe ta përjashtojnë?
E gjitha, sepse ka bërë kritika dhe ka dalë kundër qendrimit të PS-së, ose më saktë Ramës, për çështjen “Balluku”.
Kjo, për arsyen se po mbrohet një politikane, e cila ka mbi supe akuza për afera të rënda korruptive.
Dhe ndryshe nga herët e tjera, nga Ahmetaj, tek Veliaj, Rama këtë radhë vendosi të sfidojë dhe t’i shpallë luftë drejtësisë, duke u përplasur edhe me ndërkombëtarët.
Për të, është gati të “sakatojë” këdo në Partinë Socialiste, siç u shpreh në mbledhjen para vendimit për heqjen e imunitetit të Ballukut.
E vetmja që nuk e pranoi këtë kërcënim, ishte pikërisht Spiropali, që në mënyrë demonstrative vendosi të mos marrë pjesë në votimin për fatin e Ballukut.
Si për të treguar, se në Partinë Socialiste ka ende njerëz që mendojnë dhe veprojnë me kokë të vet, kur shkelen ca parime kryesore.
Edhe pse kosto personale e saj brenda PS, mund të jetë fatale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016