"E shndërrove Prokurorinë në strofull familjare", Felaj i përgjigjet opozitës: Në biografinë tonë s’gjen asgjë të zezë

3 July 2023, 11:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"E shndërrove Prokurorinë në strofull familjare", Felaj
Ermonela Felaj dhe Sali Berisha

Ka pasur replika të forta në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe drejtueses së seancës Ermonela Felaj, 4 familjarë të së cilës janë emëruar në poste të ndryshme në prokurorinë e Tiranës.

Në replikat e saj me Albana Vokshin, Luan Baçin dhe Sali Berishën, Felaj tha se emërimi i tyre është bërë në bazë të meritës, dhe jo të përkatësisë politike të saj.

“Nëse duhet të jem unë këtu apo jo, nuk e vendosni ju, e kanë vendosur të tjerë njerëz. Zonja Vokshi mos e mbani të bllokuar foltoren, kjo është komplet e stisur, është e disata herë që e bëni.

Meqë i keni kaq merak familjarët e mi, ti dhe gjithë të tjerët, ato tituj nuk na i ka dhënë politika, por na i ka dhënë arsimi. Mos i sillni familjarët këtu se është shumë e shpifur.

Duhet të ishit larguar ju dhe familja juaj nga ky vend që ju ka shpallur SHBA non grata, në biografinë time dhe të familjes nuk gjendet asnjë njollë e zezë”, u shpreh Felaj.

Antarët e familjes Felaj hynë njëri pas tjetrit në prokurorinë e Tiranës pasi u konfirmuan nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Përgjatë katër viteve të fundit, në Prokurorinë e Tiranës janë emëruar tashmë tre familjarë të deputetes Felaj. Në mars të vitit 2019, KLP vendosi të emërojë si prokuror në Tiranë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikajn, pa kaluar më parë procesin e vetingut.

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës.

Në mbledhjen plenare të datës 29 maj, u miratua projektakti për transferimin e bashkëshortes së këtij të fundit, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.


Video