
Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King Smith është paraqitur sot në ministrinë e Punëve të Jashtme ku ka marrë një notë verbale mbi deklaratën e ministrit britanik të Imigracionit, Robert Jenrick i cili me tone të ashpra dhe një gjuhë që mund të konsiderohet raciste, bëri thirrje që oficerët e emigracionit të kapnin çdo shqiptar dhe t’i dërgonin drejt Tiranës.
“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shteteve të huaja. Dje vizitova një qendër emigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta, emigrantët e paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, thotë ministri në një video.
Pas këtyre deklaratave reagoi ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka e cila u shpreh e tronditur nga gjuha e përdorur kundër shqiptarëve.
“E tronditur dhe pa fjalë kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota më të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, shkruan Xhaçka në Twitter.
Ky nuk është ‘incidenti’ i parë për Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë. Më herët ishte ministrja e Brendshme Suella Braverman e cila i quajti shqiptarët pushtues dhe kjo solli një reagim të kryeministrit Edi Rama si dhe një protestë të shqiptarëve në Londër.