Ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar sot kritikëve të tij, duke i bërë thirrje të bashkohen me të, duke lënë mënjanë ndasitë politike.
Berisha ka thënë nga dritarja e banesës së tij, ku ndodhet në arrest shtëpie, se vendi ndodhet në një “emergjencë ekzistenciale”, dhe sipas tij, ky është momenti që duhet të bashkojë të madh e të vogël, socialist dhe demokratë, madje edhe “lufta politike” duhet të eklipsohet në këtë rast.
Mesazhi i Berishës vjen një ditë para protestës së paralajmëruar të Rithemelimt para parlamentit.
Mesazhi i Berishës:
Në 33 vite karrierë politike, kurrë ndonjëherë, një mesazh i imi, nuk ka qenë më emergjent se ky mesazh i sotëm për ju dhe mbarë shqiptarët. Në 33 vite karrierë, kurrë ndonjëherë, një thirrje e imja, nuk ka qenë kaq jetike se kjo që bëj sonte në emër tuaj dhe të PD.
Prandaj fjalët e mia sot shkojnë në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo qytet, në mbarë vendin. Këto fjalë shkojnë për çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë.
Këto fjalë shkojnë për zemrat e çdo shqiptari. Çdo njeriu, që nën deje ka gjak shqiptari.
Demokratë dhe opozitarë të tjerë. Socialistë dhe pa parti. Këto fjalë u shkojnë partive të mëdha dhe partive të vogla. Shoqërisë civile, emigracionit dhe diasporës. Të rinjve dhe të moshuarve. Nënave dhe baballarëve. Vëllezërve dhe motrave.
Por këto fjalë shkojnë edhe për kritikët e Berishës.
Ka momente në histori, që ndasitë duhen lënë mënjanë. Ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale. Për çdo popull, vjen një moment në histori kur ndodhet përpara pyetjes: "Të jesh apo të mos jesh?"
Ky është ai moment për kombin shqiptar! Dhe sot çdo shqiptar duhet t'i shohë gjërat siç janë.