Berisha: Kushedi sa para ka Alda Klosi në Dubai nga kontot e Arben Ahmetajt

13 January 2023, 12:52Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha: Kushedi sa para ka Alda Klosi në Dubai nga kontot e Arben Ahmetajt
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte një konferencë për mediat.

Ai u ndal tek rasti i Alda Klosit. Për këtë çështje tha se pastruesja Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë dhe se qeveria po bën çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj. Berisha bëri thirrje që Dobi të shpallet e penduar e drejtësisë.

“Ky vit nisi me superskandalin të themi të Alda Klosit, ‘de facto’ të Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt. Janë bërë me dhjetëra kronika, me dhjetëra raportime. Por një enigmë, ku qëndron dhe çelësi i së vërtetës nuk është trajtuar në dimensionin e duhur. Nuk është trajtuar raporti Rozeta-kasaforta.

Sipas të gjitha të dhënave, Alda Klosi ose i mbante paratë në dyshek dhe flinte, se nuk e dini ju, manjakët e parave ndihen komfort sipas përshkrimeve kur flenë në dyshekë të mbushur me para, ose ajo i dha kodin e kasafortës. Ia dha në roje, ia dha në mirëbesim. Pra, këtu qëndron dhe rebusi, ndërkohë Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë. Qeveria ka bërë çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj.

Gjithçka është bërë dhe ajo është realisht e kërcënuar shumë. Thirrja ime është që ajo të shpallet e penduar e drejtësisë çka nuk ndodh se kjo e lemerit Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD tha se “Arben Ahmetaj është kandidat për kokërr të burgut”. 

Sipas Berishës në perceptimet telefonike të Ahmetajt, del në radar Alda Klosi.

“Pra, pse unë u ndala në këto? U ndala sepse qeveria po bën gjithçka për të mashtruar qytetarët në këtë hetim. Se shifra 120 mijë u caktua nga qeveria për t’u thënë nga Alda. Kurse shuma e madhe në tubat e aspiratorit u zbulua rastësisht. Ato të gjitha janë paratë e Aldës, të Arben Ahmetajt, të Edi Ramës. Ato janë paratë e djegësave. Edi Rama e ka shkarkuar atë vetëm pesë ditë, më datë 20, në mënyrë që ajo të mos largohej nga detyra si zyrtare e lartë. Por, edhe njëherë, Rozeta ose duhet mbrojtur, ose duhet lënë e lirë. Paratë ajo i ka marrë në mirëbesim, siç del. Cili është ai që mund të thotë se Rozeta gjeti kodin? Nuk ka njeri që e beson këtë. Nëse do kishte marrë një specialist për dekodimin, gjurmët do ishin aty, kamerat do tregonin gjithçka. A ka një gjë të tillë? Nuk ka një gjë të tillë. Pra kemi të bëjmë një bashkëpunim mes Aldës dhe Rozetës për të larguar paratë nga shtëpia e Aldës. Qoftë me kasafortë, qoftë me dyshek. Fytyra e vërtetë e qeverisë është Alda, që vjen në Tiranë me një apartament 40 metër dhe përfundon me shtatë apartamente, troje, llogari. Kushedi sa ka në Dubai ka ajo nga kontot e Arben Ahmetajt. Ka shpërthyer vjedhja për fushë, thotë populli“, u shpreh Berisha.


Video