
Sot ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi fushatën në Shkodër aty ku garon me kandidatin Xhemal Bushati dhe e prezantoi para demokratëve shkodranë.
Kryedemokrati tha se Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën.
“Dy dashni kanë shkodranët, PD-në dhe Vllazninë. Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën. Jam krenar që është kandidati i PD-së për Shkodrën. Është njeriu që është kujdesur me zemër dhe me shpirt për qytetarët e Shkodrës”, tha Basha.
Ndërkohë kandidati Bushati tha se në këtë zgjedhje duhet t’iu kthejmë qytetin qytetarëve.
“Do t’i shërbejmë qytetarëve me transparencën më të madhe”, tha ai.
Bushati do të jetë në garë me dy kandidatë të tjerë në zgjedhjet e 6 Marsit. Ai do të ketë përballë Bardh Spahinë nga “Shtëpia e Lirisë” dhe Majlinda Angonin që garon në radhët e PS-së.