ANALIZA: Shumë pak të rinj, shumë rikthime dhe 'veteranë', si ndryshon grupi parlamentar i PD-së

20 May 2025, 18:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
ANALIZA: Shumë pak të rinj, shumë rikthime dhe
Foto ilustruese

Shumë pak emra të rinj, rikthime dhe ‘veteranë’ që kanë ‘betonizuar’ karrigen në Kuvend. Kjo është panorama e grupit të ri parlamentar të Partisë Demokratike.

Në bazë të rezultateve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Demokratike nuk arriti që të ezauronte listën e mbyllur në disa qarqe, si Vlorë, Fier dhe Elbasan.

Me nisjen e legjislaturës së re në shtator, demokratët do të jenë më të paktë në numra, por qasja pas humbjes në zgjedhje tregon se klima parlamentare do të jetë e tensionuar siç edhe ishte në 4 vitet që po lëmë pas.

QARKU TIRANË

Qarku i Tiranës vjen me dy emra të rinj: në Kuvend do të kenë nga një ulëse Tedi Blushi (PL) dhe Besart Xhaferi. Ndërsa nuk mungojnë rikthimet, si në rastin e Jozefina Topallit që e ka drejtuar 8 vite këtë institucion apo Belind Këlliçit e Klevis Balliut. Besnikët e Berishës, Noka e Vokshi rikonfirmojnë mandatet, njësoj si dhe aleatët e PD. 

Lista fituese:

Sali Berisha         

Flamur Noka       

Albana Vokshi    

Belind Këlliçi       

Tedi Blushi 

Jozefina Topalli             

Fatmir Mediu      

Edi Paloka

Erisa Xhixho       

Mesila Doda

Klevis Balliu        

Besart Xhaferi

Jorida Tabaku

QARKU DURRËS

Qarku Durrës është riformatuar, ku përveç Oerd Bylykbashit që do të jetë sërish deputet, në Kuvend 5 emrat e tjerë janë “të rinj”. Artan Luku, Manjola Luli, Gent Strazimiri, Igli Cara dhe Arjan Ndoja nuk kanë qenë pjesë e listave për deputetë në vitin 2021.

Lista fituese:

Oerd Bylykbashi

Artan Luku

Manjola Luku               

Gent Strazimiri    

Igli Cara    

Arian Ndoja

QARKU ELBASAN

Ndryshime ka pësuar dhe qarku i Elbasanit, ku nga lista e 2021 nuk ka asnjë përfaqësues për 4 vitet e ardhshme. Demokratët morën rezultat katastrofik në këtë qark, ku nuk arritën që të ezauronin as listën e mbyllur duke humbur 2 mandate, nga 6 që morën në 2021 tashmë demokratët do të kenë vetëm 4 përfaqësues.

Lista fituese:

Tomor Alizoti

Edmond Haxhinasto     

Klodiana Çapja

Blendi Himçi

QARKU FIER

Ashtu si në Elbasan, edhe në Fier, demokratët pësuan një disfatë të thellë, ku tashmë do të përfaqësohen vetëm me 4 deputetë. Luan Baçi dhe Saimir Korreshi arritën që të mbijetonin nga 2021, ndërsa lista plotësohet me drejtuesin politik Gazment Bardhi dhe aleaten nga Partia e Lirisë, Brunilda Haxhiu.

Lista fituese:

Gazment Bardhi  

Luan Baçi  

Brunilda Haxhiu           

Saimir Korreshi

QARKU VLORË

Në Vlorë demokratët nuk pësojnë ndryshime. Bujar Leskaj dhe Ina Zhupa arritën që të ruanin vendin edhe për legjislaturën e re e bashkë me ta qarkun do ta përfaqësojë edhe aleati Vangjel Dule, i cili në 2021 mandatin e fitoi në Tiranë.

Lista fituese:

Bujar Leskaj        

Vangjel Dule

Ina Zhupa

QARKU GJIROKASTËR

Gjirokastra prej vitesh tashmë nuk pëson ndryshime. Tritan Shehu duket se ka zënë rrënjë dhe do të përfaqësojë edhe për 4 vite banorët e këtij qarku si i vetmi demokrat.

QARKU KORÇË

Në Korçë, Ivi Kaso si drejtues politik, bashkë me Ledina Alollin dhe Fidel Krekën i bashkohen Bledjon Nallbatit, i cili arriti që të siguronte edhe një mandat tjetër.

Lista fituese:

Ivi Kaso     

Ledina Alolli        

Bledjon Nallbati            

Fidel Kreka

QARKU BERAT

Eno Bozdo dhe Zija Ismaili do të jenë emrat e rinj që do të përfaqësojnë demokratët në qarkun e Beratit, duke zënë vendet e Tomor Alizotit dhe Kasëm Mahmutajt.

QARKU DIBËR

Në Dibër demokratët do të jenë me një deputet më pak, ku tashmë do të përfaqësohen vetëm nga Xhelal Mziu dhe Denisa Vata. Jashtë Kuvendit do të mbeten Dhurata Çupi dhe Kreshnik Çollaku, të cilët garuan në Tiranë, por nuk arritën që të merrnin mandat.

QARKU LEZHË

Qarku i Lezhës nuk do të ketë ndryshime në përfaqësim, pasi jashtë mbetet vetëm Lindita Metaliaj dhe vendi i saj i lënë bosh plotësohet nga Gjin Gjoni, ish-gjyqtar i cili arriti që të fitonte mandatin e deputetit në listë të hapur.

Lista fituese:

Agron Gjekmarkaj

Elda Hoti   

Gjin Gjoni 

Kastriot Piroli

QARKU KUKËS

Në Kukës prej kohësh nuk ka ndryshime, ku mandatet janë çimentuar te Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj.

QARKU SHKODËR

Në Shkodër demokratët do të jenë të përfaqësuar me Luçiano Boçin, i cili është dhe drejtues politik në qark. Për herë të parë merr një ulëse edhe Kliti Hoti. Në Kuvend do të rikthehet Bardh Spahia.

Lista fituese:

Luçiano Boçi

Kliti Hoti

Greta Bardeli       

Ramadan Likaj

Bardh Spahia


Video