A ka sherr mes Ramës dhe Veliaj? Ja çfarë thotë kryebashkiaku i Tiranës

9 September 2022, 20:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A ka sherr mes Ramës dhe Veliaj? Ja çfarë thotë
Edi Rama dhe Erion Veliaj

Kryeministri Edi Rama ka qenë pasditen e sotme së bashku me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj në Zall Herr për inagurimin e disa shtëpive të reja në kuadër të rindërtimit.

Ky i fundit, gjatë fjalës së tij, ka folur dhe mbi "thashethemet" e fundit të iniciuara nga aksioni kundër ndërtimeve pa leje se mes tij dhe kreut të Qeverisë ka një përplasje në prag të zgjedhjeve lokale që mbahen vitin e ardhshëm.

Në lidhje me këtë, Veliaj ka thënë sot se fjalë të tilla i përhapin ata që nuk kanë punë dhe që janë tepër të lodhur.

“Ka shumë nga ata njerëz “të lodhur”, njerëz që e kanë shpresën e tyre që kryetari i bashkisë dhe kryeministri do të hyjnë në një konflikt dhe do ju dhurojnë atyre pushtetin, njerëzve që e kanë pasur në fakt pushtetin, që e kanë pasur në dorë Tiranën, që e kanë pasur në dorë Zall-Herrin edhe nuk e di dhe sa herë duhet të luten edhe sa kallo duhet të kenë në gjunjët e tyre që të luten që unë një ditë dhe kryeministri nuk do të shkojmë mirë, shanset janë zero presje hiç që kjo të ndodhë. Për të gjithë ata që luten që ne të kemi një konflikt të madh, dua t ju them këtë.

Bashkia e Tiranës dhe qeveria po diskutojnë se si nga një situatë ku në kishim një nga 10 ndërtime në paligjshmëri, në situatën që kemi sot, një në 10 mijë ndërtime në paligjshmëri, si të adresojmë dhe ato pak raste që kemi.

Kush uron dhe kush mendon që në këtë përpjekje që ne kemi për ta bërë Tiranën zonjë dhe për ta bërë Shqipërinë moderne, ne do të kemi konflikte, inate dhe përçarje duhet ta harrojnë. Probabiliteti është zero presje hiç”, u shpreh Veliaj.


Video