Kryeministri Edi Rama ka komentuar mbrëmjen e sotme në Top Story, edhe lidhjen me anëtarët e qeverisë që kanë probleme me drejtësinë.
Ai tha se nuk është mburojë e askujt dhe se këtë gjë ia bën të qartë gjithë bashkëpunëtorëve të tij që në fillim.
Grida Duma: Ben Ahmetaj e Tahiri dikur janë lëshuar nga ty?
Edi Rama: Unë nuk jam mburojë e askujt për drejtësinë. Ditën që formohet qeveria kjo është fjalia ime e parë, nga tani e pas secili do te mbajë vendin me punën e vet dhe me integritetin. Nëse mendoni se edhe do të mbani vendin dhe përveç punëve të përbashkëta do të bëni eshë të tjera do të mbani përgjegjësi vetë. I kam thënë unë nuk jam për t’ju mbajtur juve, ju jeni për të mbajtur PS-në dhe të mos më lëshoni mua se unë e quaj lëshim të bësh gjëra pas shpinës time. I kam të gjithë bashkëpunëtorët të rëndësishëm edhe ata që janë në qeveri edhe ata që janë në parlament edhe kryetarët e bashkive janë të gjithë të rëndësishëm. Servilizmi nuk është një virtyt ose një cilësi që unë e kam të nevojshme, nuk kam nevojë për servilë se janë të mërzitshëm, nuk të sfidojnë, nuk të krijojnë atë ndjesinë e energjizimit të punës kështu që nuk i dua. Bashkëpunëtorët janë shumë të rëndësishëm për të sfiduar. Ne kemi plan pune kemi kritere performancë kemi afate dhe puna është kryesorja.