
Avokati Genti Rumano ka reaguar me ironike pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për vendosjen e një gjobe prej 5 mijë lekësh ndaj tij, për mosparaqitjen në seancë gjatë bojkotit të avokatëve. Në një shënim në rrjetet sociale, Rumano thotë se vendimi për gjobën shtrihet në mbi 80 faqe, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyetimin e gjatë dhe duke e lidhur atë me vetë bojkotin e Dhomës së Avokatisë.
Rumano kundërshton argumentin se ai kishte “mundësi fizike” të paraqitej në gjykatë, duke theksuar se pikërisht mosparaqitja, sipas tij, ishte pjesë e protestës.
Rumano paralajmëron gjithashtu ankimin ndaj gjobës dhe shpreh shqetësimin se masa të tilla mund të përsëriten ndaj avokatëve që vijojnë bojkotin.
Reagimi i plotë i avokatit Genti Rumano:
UEEEE, ÇA VENDIMI!!! Po bëj ankimin kundër gjobës së parë që më ka ardhur, se kam edhe ca të tjera rrugës që akoma s’më janë njoftuar, plot 5.000 lekë (të reja, më kuptoni), që më ka vënë Gjykata e Posaçme se nuk shkova në seancë gjatë bojkotit të Dhomës së Avokatisë.
80 e ca faqe vendim, o Kryetar?! Ça bën o Bosss?!??
Për 5 mijë lekë gjobë? Apo po përgatitesh për më të mëdhatë? Kjo duket sikur është nxemje procedurale para gjobave të tjera??? Se për 5 mijë lekë, 80 e ca faqe arsyetim janë shumë edhe për ty o dak. Më ka kap meraku mos kjo është vetëm faza përgatitore, sot 5, nesër 10, pasnesër 50 dhe, kur të mbarojë bojkoti, e bëmë edhe një praktikë të re gjyqësore.
Po ta them që në fillim, o Kryetar, mos u lodh kaq shumë me lekët, se problemi nuk janë lekët.
Problemi është çfarë do me thënë me ato 80 e ca faqe. Kur për një gjobë minimale shkruhen 80 e ca faqe për bojkotin, Dhomën e Avokatisë, kompetencat e saj, protestën, Italinë, Gjermaninë, Amerikën, Indinë (po kët Indinë ku e gjete) dhe çfarë duhet e çfarë nuk duhet të bëjë avokati...po dyshoj se nuk po gjykohet më mungesa ime (avokatëve) në një seancë. Po gjykohet BOJKOTI.
Dhe akoma më keq, duket sikur po i thoni avokatëve, me nga 5 mijë lekë për kokë, se deri ku lejohen të protestojnë.
Nuk na qenka më cështja “Pse nuk erdhi Rumano (apo Rumanot e tjerë avokatë) në seancë?”
Çështja duket sikur “Sa gjoba duhen që avokatët të kthehen në seancë?”. Dhe kjo, o Kryetar, është muhabet tjetër. Se 5 mijë lekshi nuk është më gjobë. Qenka nxemja, eeee??
Ore, edhe me burg të na dënoje do kishe shkruar më pak😂. Po problemi nuk janë 5 mijë lekët.
Problemi është muhabeti që keni bërë për të arritur deri te ato 5 mijë lekë.
Se në gjithë ato faqe më shpjegoni Kushtetutën, KEDNJ-në, Gjermaninë, Italinë, Amerikën, Indinë (kur mendoj kët Indinë….Je NONA fare), të drejtat e avokatit, detyrimet e avokatit, të drejtat e të pandehurit, bojkotin, protestën, Dhomën e Avokatisë...Vetëm një gjë nuk paskeni kuptuar, Ça është bojkoti.
Argumenti që më pëlqeu më shumë është që unë “kisha mundësi fizike të paraqitesha në seancë”. Po normal që kisha mundësi dhe kam o Kryetar. S’isha në koma, s’kisha thy këmbën, makina punonte, (e kam edhe me korent tani, edhe pse vij vetëm me bicikletë) dhe rrugën për te Gjykata e Posaçme e di shumë mire, aty rri gjith ditën (e kemi diskutu njëherë këtë).
Po isha në BOJKOT. Se po të mos kisha mundësi fizike të vija, nuk quhej bojkot. Quhej hall.
Bojkoti është tamam ky, ke mundësi të shkosh dhe nuk shkon, sepse po PROTESTON.
Prandaj problemi nuk është nëse unë mund të hipja në makinë e të vija në Gjykatë. Problemi është nëse mund të më konsideroni “fajtor” vetëm sepse zbatova një vendim kolektiv të organit përfaqësues të avokatisë, për të cilin ju kishim njoftuar paraprakisht. Se këtu pastaj muhabeti bëhet serioz.
E di kush është problemi jot, o Kryetar? Në fakt, më duket sikur janë tre probleme.
I pari është që ti nuk ke qenë ndonjëherë avokat dhe, me gjithë respektin për funksionin që ke, edhe për ju si person, ka ca gjëra të këtij profesioni që nuk kuptohen nga ana tjetër e sallës.
Avokatia nuk është vetëm të lexosh Kodin dhe të thuash “mbrojtësi ka detyrimin të paraqitet”.
Avokatia është të kesh përballë një njeri që rrezikon 10, 20 apo 30 vjet burg dhe që, në atë sallë, mund të ketë vetëm një njeri që flet për të, avokatin e tij.
Prandaj një lutje kam, Mos na e bëni sikur ju dhimbsen të pandehurit dhe po na gjobisni për të mbrojtur interesat e tyre. Aman, këtë jo.
Ne jetojmë me këta njerëz, flasim me familjet e tyre, lexojmë dosjet e tyre deri natën vonë, i takojmë në paraburgim, u dëgjojmë hallet dhe, në fund, jemi ne që çohemi në këmbë në sallë dhe themi ato gjëra që ndodhta ju nuk doni ti dëgjoni dhe ndoshta bëni sikur i dëgjoni (perceptim është ky, jo realitet).
Problemi i dytë, o Kryetar, është që ke ca gjyqtarë aty që të krijojnë përshtypjen se avokatin nuk e shohin si pjesë të drejtësisë, por si bezdi për drejtësinë. (O plak, mos ma eksportoni këtë modën e gjobave edhe te juridiksioni i përgjithshëm, se po krijohet perceptimi që po përhapet shpejt, po bëhen të gjithë si ju, nuk i duan më avokatët, gjobë, gjobë gjobë, nuk është kukull avokati, shkon në proces të mbroj palën, jo për tu duk)….
Avokati pyet shumë – bezdi. Avokati kundërshton – bezdi dhe gjobë. Avokati kërkon pavlefshmëri – bezdi dhe gjobë. Avokati kërkon prova – bezdi, bezdi, bezdi. Avokati ankohet – prapë bezdi. Avokati proteston? Aty pastaj 5 mijë lekë. (unë i kam edhe më të mëdhaja gjobat).
Po avokati për këtë punë është, o Kryetar. Se po deshët një njeri që hyn në sallë, ulet, nuk pyet, nuk kundërshton, nuk kërkon, nuk ankohet dhe në fund çohet e thotë “faleminderit Gjykatës”...
mos kërkoni avokat. Merrni një karrige më shumë o vlla.
Dhe pastaj kemi problemin e tretë.
Këshilltarin e ke në një pozicion që, të paktën nga jashtë, ngre ca dyshime, sepse ka qenë më parë i lidhur me dikë tjetër që ka qenë, si të thuash...nga krahu tjetër i binomit. 😂
Nuk po e shpall unë konfliktin e interesit me status Facebook-u, të kuptohemi (se ma nxini ju pastaj). Por kur ke një konflikt kaq të madh institucional me avokatinë, kur vendimet që merren prekin drejtpërdrejt avokatët dhe kur pastaj po të njëjtët avokatë gjobiten sepse protestojnë kundër këtyre vendimeve, duhet të jesh shumë i kujdesshëm jo vetëm me atë që bën, por edhe me si duket ajo që bën. Se drejtësia nuk mjafton vetëm të jetë e paanshme. Duhet edhe të duket e tillë.
Po ka edhe diçka tjetër, o Kryetar, që mua më bën përshtypje. Ti vetë ke protestuar kur është bërë fjalë për pagat dhe të drejtat e gjyqtarëve. Dhe mirë ke bërë (Ju kam mbështetur, edhe pse nuk ju hyn në xhep mbështetja ime modeste).
Kur mendon se një e drejtë po të cenohet, ngre zërin, kundërshton dhe proteston.
Po duhet të na kuptosh edhe ne. Sepse ne nuk po protestojmë për rrogat tona. Nuk po kërkojmë dieta, nuk po kërkojmë makina, nuk po kërkojmë privilegje dhe as ndonjë trajtim special.
Po kërkojmë të drejta që lidhen me mbrojtjen.
Po kërkojmë të komunikojmë normalisht dhe në mënyrë konfidenciale me klientin. Po kërkojmë të kemi mjetet e nevojshme për të ushtruar mbrojtjen. Po kërkojmë që avokati të mos jetë dekor në sallën e gjyqit, por të ketë mundësi të bëjë mbrojtje reale dhe efektive. Dhe këto, në fund të fundit, nuk janë vetëm të drejtat tona. Janë edhe të drejtat e atij të pandehurit që thoni se po mbroni kur na gjobisni neve.
Kur proteston gjyqtari për të drejtat e veta, duhet ta dëgjojmë (ju dëgjoi edhe Ulsi juve).
Kur proteston avokati për të drejtat e mbrojtjes, duhet të shkojë në seancë. Se po nuk shkoi... 5 mijë lekë. 😂 Po vazhdoi bojkoti? Prapë 5 mijë. Po vazhdoi prapë? Prapë gjobë.
Dhe këtu, o Kryetar, gjoba nuk është më 5 mijë lekë.
Këtu gjoba fillon të bëhet mesazh. “Protesto, po shiko se do të gjobisim.” “Vazhdo protestën, po do të vazhdojmë edhe ne.”
Dhe kur gjobat fillojnë të vendosen njëra pas tjetrës ndaj avokatëve që po zbatojnë të njëjtin vendim të Dhomës së Avokatisë, atëherë sado t’i quajmë “masa procedurale”, ato fillojnë të duken si mjet presioni për të thyer bojkoootiiiiiiiin.
Dhe këtu duhet shumë kujdes. Sepse protesta është kundër një rregulli të Gjykatës së Posaçme dhe gjobën për protestën po e vendos...Gjykata e Posaçme.
Prandaj, kur ai kundër të cilit protestohet ka në dorë edhe gjobën ndaj atij që proteston, duhet dyfish kujdes që gjoba të mos kthehet në kërcënim, presion apo në një reagim që nga jashtë duket si hakmarrje institucionaaaleeeeeee.
Unë nuk po them që një gjyqtar është ulur në zyrë dhe ka thënë: “Tani do t’u hakmerrem avokatëve.”Këtë nuk e di dhe nuk kam pse ta them.
Po them diçka shumë më të thjeshtë “Shiko si duket”. Ne protestojmë kundër jush. Ju na gjobisni sepse protestojmë. Ne vazhdojmë protestën. Ju vazhdoni gjobat.
Dhe pastaj na thoni se gjobat s’kanë lidhje me protestën, por vetëm me faktin që nuk erdhëm në seancë.
Ore... PO PIKËRISHT MOSARDHJA NË SEANCË ËSHTË PROTESTA!
Kjo është pjesa që, me gjithë ato 80 e ca faqe, nuk po arrij ta kuptoj si nuk e kemi sqaruar akoma.
Dhe pastaj vijmë te kryevepra, “Kishe mundësi fizike të vije.” Po, o Kryetar, Kisha.
Dhe pikërisht sepse kisha mundësi të vija dhe zgjodha të mos vija në zbatim të bojkotit, quhet protestë. Sepse po të mos kisha mundësi të vija, nuk do të kisha protestuar fare. Do të kisha sjellë raport mjekësor. 😂 dhe ti do thërrisje avokatin kryesisht, se ju është bër ves….
Prandaj mos e komplikoni kaq shumë. Nuk duheshin 80 e ca faqe.
Mjaftonin dy rreshta “Avokatët kanë të drejtë të protestojnë. Vetëm se duhet të vijnë në seancë.” Dhe poshtë, fap 5.000 lekë. Të paktën e kuptonim të gjithë njësoj. 😂
P.S. O Kryetar, 80 faqe ankimin nuk ta bëj dot. Më beso, nuk kam as forcë, as fuqi. Ne avokatët po torturohemi duke shkruar përnatë kërkesa, ankime, rekurse, prapësime, pavlefshmëri e çfarë na del përpara. Ti për 5 mijë lekë më ke çuar 80 e ca faqe vendim, po të të përgjigjem faqe për faqe, duhet të marr leje nga puna që të bëj punën.
Kështu që ankimin do ta bëj më të shkurtër. Jo se s’kam çfarë të them, po se dua të më mbetet pak fuqi edhe për gjobat e tjera që kam rrugës.
Se me këtë ritëm, o Boss, nuk na duhet më vetëm Dhoma e Avokatisë, na duhet edhe një sindikatë për mbrojtjen e avokatëve nga arsyetimet 80-faqëshe. Tani që po e mendoj, kam nja 4 orë që merrem me këtë status. E shkruaj, e lexoj, e ndryshoj, i shtoj një batutë, heq një tjetër, prapë nga fillimi...Po të mos isha marrë me Facebook-un, deri tani e kisha mbaruar ankimin. Kështu që, o Kryetar, në fund fare nuk ma ke fajin ti për 80 faqet e vendimit. Fajin e kam unë që po bëj 80 faqe status për 5 mijë lekë gjobë. Tani po iki të bëj ankimin, se statusin e mbarova.