Drejtësia lau duart me dosjen ‘Shpirti’ duke dënuar me 100 vite burg 15 persona. Ata u gjetën fajtorë për trafikimin e tonelatave të hashashit gjatë viteve 2015-2017. Dosja u hetua nga dy prokurorë të posaçëm, njëri prej të cilëve Dritan Prençi.
Prençi u emërua në SPAK në maj të vitit 2020, gati gjashtë muaj pasi ishte themeluar SPAK-u. Por, me dosjen ‘Shpirti’ ai ishte i familjarizuar, pasi si prokuror i krimeve të rënda, në 4 dhjetor të vitit 2019 në kuadër të hetimeve të përbashkëta të nisura me italianët ka marrë në pyetje në Bari të Italisë shtetasin Mariglen Shusha, një prej të arrestuarve nga italianët për trafikun e drogës dhe që u shndërrua në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Në dëshminë e tij, Shusha tregon gjithë aktivitetin e grupit kriminal në detaje dhe lidhjet e tyre në institucionet ligjzbatuese, përfshirë këtu edhe në sistemin e drejtësisë. Ai rrëfen se si ndërhynë te Prokuroria e Krimeve të Rënda në 2015-n, që dosja e kapjes së 808 kilogramëve hashash në Radhimë të transferohej nga kjo prokurori te Prokuroria e Vlorës.
Dosjen te Krimet e Rënda e kishte prokurori Ened Nakuçi. Shusha thotë se kanë zhvilluar takime në Tiranë dhe Fier me disa ndërmjetës për të ndërhyrë te prokurori i çështjes dhe sipas dëshmisë së tij, për transferimin e dosjes janë paguar deri në 200 mijë euro.
Këto pohime, Mariglen Shusha i ka bërë në prani të prokurorit Dritan Prençi, që pas këtij rrëfimi vendosi rihapjen e procedimit penal të 2015-s, të pezulluar nga Ened Nakuçi dhe bashkimin e dosjes me procedimin e nisur në vitin 2017-të pas hetimeve të përbashkëta me italianët.
Ajo që ndodhi më tej sugjeron një koordinim mes dy prokurorëve, që jo vetëm kaluan vettingun, por aktualisht vijojnë karrierën si prokurorë të SPAK-ut. Pse? Dëshmia e Mariglen Shushës e 4 dhjetorit 2019 dhënë para prokurorëve shqiptarë, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara në dosjen italiane përmend emrat e dy prokurorëve, atë të Maksim Sotës, në atë kohë prokuror në Vlorë dhe të Ened Nakuçit, në atë kohë prokuror te Krimet e Rënda.
Në dosjen shqiptare, që u hetua nga prokurori Dritan Prençi kjo pjesë e dëshmisë së tij është censuruar. Aty citohet Maksim Sota, por jo Ened Nakuçi.
Kjo manovër krijon dyshime se mes prokurorëve Prençi dhe Nakuçi mund të ketë pasur një marrëveshje të fshehtë, si dy ish kolegë te Krimet e Rënda e tashmë kolegë te SPAK. Prençi në këtë rast është bërë bashkëpunëtor në fshehjen e provave që implikojnë kolegun e tij Nakuçi në dosje e biseda të trafikantëve, madje ku përmenden edhe 200 mijë euro, që sipas dëshmisë së Shushës mund të jenë përdorur për të korruptuar njerëzit e drejtësisë. A është mes tyre edhe Ened Nakuçi? Përgjigjen e kësaj pyetjej mund t’ja jepte vetëm hetimi që s’u krye nga prokurori Dritan Prençi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.