“Më godet Xheni”, nëna e 4-vjeçarit në Korçë rrëfen tmerrin: E fuste në qilar! (Arrestohet edukatorja)

24 October 2026, 12:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Më godet Xheni”, nëna e 4-vjeçarit në
Nëna e 4-vjeçarit në Korçë

Volsjana Plasa tregon se djali i saj i kishte rrëfyer prej ditësh se dhunohej nga edukatorja. Nëna pretendon se e gjeti vetë fëmijën në oborr, ndërsa edukatorja i bërtiste dhe e akuzonte se po gënjente.

Një edukatore është arrestuar në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije 4-vjeçar në kopshtin ku ai qëndronte. Nëna e të miturit, Volsjana Plasa, rrëfen se djali i kishte treguar prej disa ditësh se goditej nga edukatorja, ndërsa pretendon se shqetësimet e saj fillimisht janë mohuar nga stafi dhe drejtuesja e kopshtit.

Në një rrëfim për ngjarjen, Plasa thotë se gjithçka nisi katër ditë përpara denoncimit, kur djali i saj i tha se mësuesja e godiste. Ajo shkoi në kopsht për të kërkuar sqarime, por, sipas saj, edukatoret e mohuan pretendimin dhe e akuzuan fëmijën se po gënjente, madje në praninë e tij.

“Para katër ditësh, djali më është ankuar. Më ka thënë: ‘Mami, mësuesja më godet’. Kam shkuar atje dhe u kam thënë se fëmija ankohet që mësuesja e godet. Ato më thanë: ‘Jo, se ky është fëmijë. Pse gënjen ti?’ Ia thanë djalit në praninë time”, rrëfen nëna.

Sipas saj, ditën pasuese, djali nisi të shfaqte frikë për të shkuar në kopsht. Ai i tregoi se edukatorja e kishte futur në një qilar, ndërsa nëna thotë se i kërkoi stafit që të mos e trembnin më fëmijën. Edhe këtë herë, pretendimet e saj, sipas rrëfimit, u mohuan.

“Shkoj djali në mëngjes për ta çuar fëmijën dhe gjatë rrugës më thotë: ‘Mami, mos më shpëto, unë kam frikë, më godet mësuesja’. I thashë se do ta sqaroja vetë”, tregon Plasa.

Ajo thotë se iu drejtua edhe drejtoreshës së kopshtit, e cila, sipas saj, i kishte pohuar se në ambientet e institucionit kishte kamera sigurie dhe se pamjet mund të verifikoheshin. Megjithatë, nëna pretendon se nuk u bind nga përgjigjet që mori dhe se shqetësimet e saj nuk u trajtuan siç duhej.

“E gjeta duke i bërtitur djalit”

Momenti më i rëndë, sipas rrëfimit të nënës, ndodhi kur ajo u kthye për të marrë djalin nga kopshti. Ajo pretendon se e gjeti fëmijën në oborr, ndërsa njëra prej edukatoreve e kishte kapur fort për dore dhe po i bërtiste.

“Kjo mësuesja e kishte kapur djalin për dore, e kishte shtrënguar dhe po i thërriste. Me atë që pashë unë, u tmerrova. I thoshte: ‘Ti pse gënjen? Janë kamerat aty, po s’të besohet? Hapni kamerat, të shikoni vetë’”, rrëfen Plasa.

Nëna pretendon se, kur ndërhyri për të marrë djalin, situata u përshkallëzua. Sipas saj, edukatorja e akuzoi se po e mësonte fëmijën të godiste të tjerët, ndërsa më pas i mori telefonin dhe ia hodhi. Plasa thotë se pati edhe një përplasje fizike mes tyre, pas së cilës vendosi të largohej me djalin dhe të shkonte në komisariat për të denoncuar ngjarjen.

“Unë e lë fëmijën në kopsht për ta edukuar. E çoj që të mësojë, jo që të dhunohet. I thashë se do të përballej me ligjin. E mora fëmijën dhe shkova drejt e në komisariat, ku bëra deklarimin tim në prani të policisë”, thotë ajo.

“Kisha vënë re një shenjë të kuqe në qafë”

Volsjana Plasa tregon gjithashtu se, disa ditë përpara ngjarjes, kishte vënë re një shenjë të kuqe në qafën e djalit. Kur e pyeti se çfarë kishte ndodhur, ai i kishte thënë se e kishte goditur mësuesja.

“Në ditët e para të kopshtit, fëmija kishte një shenjë të kuqe në qafë dhe më tha se e goditi mësuesja. Në atë moment nuk i kushtova shumë vëmendje. Por, pas asaj që ndodhi, gjithçka mori një tjetër kuptim për mua”, rrëfen nëna.

Ajo kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të ushtrojnë kontrolle më të shpeshta në kopshtet ku qëndrojnë fëmijët e vegjël.

“Mirë që fëmija im foli dhe di të tregojë çfarë i ka ndodhur. Po ata fëmijë që nuk flasin? Kush e di sa mund të kenë vuajtur. U lutem institucioneve arsimore të bëjnë kontrolle. Ne i çojmë fëmijët në kopsht për t’i edukuar dhe për të mësuar, jo që të dhunohen”, përfundon Plasa.

Rasti pritet të hetohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.

Pretendimet e nënës, si dhe çdo provë e mundshme, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, mbeten elemente që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur në kopshtin në Korçë.


Video