Mark Zuckerberg duket se është lodhur duke pritur të ndeshet me Elon Musk, teksa ky i fundit deri tani ka bërë vetëm deklarata dhe batuta.
Në një postim në rrjetin social "Threads", Zuckerberg tha se është koha ta harrojë ndeshjen dhe të vazhdojë më tej, pasi Elon Musk "nuk e ka seriozisht", dhe nuk po konfirmon asnjë datë.
Zuckerberg shtoi se Elon Musk ka thënë se i nevojitet të bëjë ndërhyrje kirurgjikale përpara ndeshjes.
Ndërsa Musk postoi ditën e djeshme mesazhet me Zuckerberg, ku i kërkon këtij të fundit që fillimisht të bëjnë një ndeshje praktikë.
"Do të fokusohem të ndeshem me njerëz të cilët e marrin sportin seriozisht", tha Zuckerberg.
Rivaliteti mes Musk dhe Zuckerberg nisi kur CEO i SpaceX bleu Twitter, duke u bërë një kompetitor në tregun e rrjeteve sociale që dominohej nga Instagram dhe Facebook të platformës Meta.
Situata u nxeh edhe më tepër kur Zuckerberg vendosi të publikojë rrjetin social "Threads", për të cilin e akuzuan se është një kopje e Twitter.