
Në një bashkëpunim artistik që bashkon gjenerata, emocione dhe traditë, më 26 maj 2025, ora 19:00, Biblioteka e COD pranë Kryeministrisë në Tiranë do të mirëpresë një nga ngjarjet më domethënëse të këtij edicioni jubilar të International Albanian Brass Festival: koncertin “14 Këngë Popullore Shqiptare”, me autor dhe dirigjent Maestro Edmond Doko.
Ky aktivitet i veçantë vjen si frymëzim nga botimi më i fundit muzikor me të njëjtin titull, një koleksion i pasur partiturash për kuintet tunxhi, i cili risjell 14 këngë të përzgjedhura popullore shqiptare, të përpunuara me mjeshtëri në një format bashkëkohor.
Edmond Doko, dirigjenti i njohur me një karrierë të pasur ndërkombëtare, i ka dhënë këtyre perlave të traditës një jetë të re, pa i cenuar autenticitetin e tyre, duke i sjellë përmes gjuhës së muzikës së kultivuar klasike.
Albanian Brass Quintet (një ndër ansamblet më të spikatura të tunxhit në rajon), Okteti Plus nga Kosova, Elona Sadiku (mezzosoprano) dhe Liridon Sadriu (tenor), do të ndërthurin fuqinë e zërit dhe tingujve me shpirtin e muzikës popullore shqiptare.
Pas suksesit të këtij koncerti në Prishtinë, në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, vepra vjen në Tiranë për të ndarë me publikun shqiptar një moment artistik ku trashëgimia shpirtërore kombëtare takohet me elegancën e interpretimit instrumental.
Në program përfshihen këngë të njohura si “Kur më vjen burri nga stani”, “Margjelo”, “Lule bore”, “Dëbora zbardhi malet”, “M’ka shku menja me u fejue” dhe të tjera, të cilat ruhen si thesare të muzikës qytetare shqiptare. Interpretimi i tyre me kuintetin e veglave të tunxhit është një formë moderne që ruan esencën, por sjell risi dhe freski në përjetimin artistik.
Ky koncert dhe botimi që e shoqëron janë mbështetur nga Opera e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, si dhe Shtëpia Botuese Dituria, të cilët kanë ndihmuar në realizimin e një materiali të rrallë, që pasuron jo vetëm fondin muzikor, por edhe edukimin artistik të brezave të rinj.