Këngëtarja Rovena Dilo ka folur për një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Ajo ka kujtuar vdekjen e të atit në vitin 2002, një ngjarje për të cilën shprehet se e ka ndryshuar shumë si njeri dhe e ka bërë të reflektojë.
"Momenti më i vështirë, do doja që të mos kisha më momente të tilla, ka qenë kur më dhanë lajmin që babai im kishte vdekur. Ishte viti 2002. Nuk isha në Tiranë dhe personi që ishte me mua ma tha këtë gjë. Kur flas për këtë gjë, unë e imagjinoj prapë atë moment. Po ka dhe një lloj madhështie, sepse shikon sa i fortë është njeriu në momentet më të tmerrshme. Unë kam ndryshuar shumë pas vdekjes së babait. E kuptova që gjërat nuk ishin të përjetshme dhe nuk i kishim ne në dorë. Kur ti e ha këtë shuplakë, fillon dhe reflekton. Nuk është njëlloj pa baba, as pa nënë” - tha këngëtarja e prekur në emisionin “Natë me Aulonën”.
Dilo shtoi se ka edhe shumë momente të bukura në jetën e saj dhe se mundohet të marrë maksimumin e gjërave dhe të shijojë çdo moment.