Trump kërcënon sërish Iranin: Bastardë, hapeni ngushticën e mallkuar, ndryshe të martën do godasim centralet dhe urat

5 April 2026, 15:25Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trump kërcënon sërish Iranin: Bastardë, hapeni
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar gjuhën ndaj Iranit, duke i bërë thirrje që të lejojë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i rikujton Teheranit se të martën skadon afati i vendosur për Republikën Islamike.

Trump thotë se SHBA-të do të shënjestrojnë infrastrukturën kritike të Iranit, si termocentralet dhe urat.

“E marta do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të përfshira në një, në Iran. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapni Ngushticën e mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në Ferr -vetëm shikoni! Falënderimi i takon Allahut”, shkroi Trump në rrjetin social Truth.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë edhe më herët ka kërcënuar se do të shënjestronte objektet e energjisë iraniane nëse Teherani nuk e rihap rrugën vendimtare të transportit detar deri në afatin e tij të 6 prillit.

Irani e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit për anijet amerikane, izraelite dhe ato të aleatëve të tyre, pas nisjes së sulmeve në Teheran, ku u vra Lideri Suprem, Ajatollah Khamenei. Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar rritje të vazhdueshme të çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar.

Më herët, Trump ka ndarë detaje të reja në lidhje me shpëtimin e pilotit amerikan në operacionin e shpëtimit në Iran, përmes një postimi në platformën Truth Social.

Sipas tij, anëtari i ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i plagosur rëndë, është nxjerrë nga zonat malore të Iranit në një operacion të rrezikshëm, ndërsa forcat ushtarake iraniane ishin shumë pranë kapjes së tij.

Trump theksoi se bëhet fjalë për një kolonel shumë të respektuar dhe se misioni ishte ndër më të vështirët për shkak të rrezikut të lartë për personelin dhe pajisjet.

Ai shtoi se ky ishte operacioni i dytë i këtij lloji, pas një misioni të mëparshëm ku një pilot tjetër u shpëtua në mes të ditës, pas shtatë orësh qëndrimi mbi territorin Iranian, një veprim që ai e cilësoi si të pazakontë.

Presidenti amerikan e përshkroi ndërhyrjen si një “shfaqje të jashtëzakonshme guximi dhe profesionalizmi” nga ana e forcave ushtarake amerikane.


Video