Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka deklaruar këtë të shtunë se do të vendosë një tarifë 100% ndaj Kanadasë nëse arrin një marrëveshje tregtare me Kinën dhe paralajmëroi kryeministrin kanadez Mark Carney se një marrëveshje e tillë do të rrezikonte vendin e tij.
“Kina do ta hajë Kanadanë të gjallë, do ta gllabërojë plotësisht, duke përfshirë shkatërrimin e bizneseve të tyre, strukturës sociale dhe mënyrës së përgjithshme të jetesës,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, menjëherë do të goditet me një tarifë 100% ndaj të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA.”
Sjellim ndërmend se kryeministri kanadez Carney gjatë një vizite të fundit në Kinë e quajti vendin aziatik një “partner të besueshëm dhe të parashikueshëm” dhe në Davos inkurajoi liderët evropianë të kërkojnë investime nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.
Trump sugjeroi se Kina do të përpiqej të përdorte Kanadanë për të shmangur tarifat amerikane. “Nëse Guvernatori Carney mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘Port Shkarkimi’ për Kinën që të dërgojë mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, ai gabon rëndë.”, shtoi ai.
Tensionet mes SHBA-ve dhe fqinjit të saj verior janë rritur ditët e fundit.
Trump të enjten tërhoqi ftesën për Kanadanë që të bashkohej me nismën e tij të Bordit të Paqes, që synon zgjidhjen e konflikteve globale. Ky ndryshim erdhi pas fjalimit të Carney-t në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ai kritikoi hapur kombet e fuqishme për përdorimin e integrimit ekonomik si armë dhe tarifat si mjet presioni.