Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një padi kundër kompanisë Apple, e cila akuzon gjigantin amerikan të teknologjisë për monopolizimin e tregut të smartfonëve dhe shtypjen e konkurrencës.
Në padinë e konsideruar si historike, Departamenti amerikan i Drejtësisë pretendon se kompania ka përdorur kontrollin e iPhone për të kufizuar ilegalisht konkurrentët dhe opsionet e tjera të konsumatorëve.
Apple akuzohet për pengimin e rritjes së aplikacioneve të reja dhe reduktimin e tërheqjes së produkteve rivale.
Apple është zotuar se do ta luftojë “fuqishëm” padinë dhe i ka mohuar pretendimet.
Padia, e paraqitur në një gjykatë federale në Nju Xhersi, pretendon se Apple përdori "një seri rregullash për ndryshimin e përmbajtjes" në një përpjekje për të "penguar inovacionin" dhe "mbytur" konkurrentët.
Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se kompania "minon aplikacionet, produktet dhe shërbimet që përndryshe do t'i bënin përdoruesit të ishin më pak të varur nga iPhone ... si dhe pengon kosto më të ulëta për konsumatorët dhe zhvilluesit".
Garland shtoi se nëse Apple nuk sfidohet, kompania do të vazhdojë të "forcojë monopolin e saj të smartfonëve".
Ankesa rendit një sërë hapash "anti-konkurrencë" që supozohet se janë ndërmarrë nga kompania, duke përfshirë bllokimin e aplikacioneve me funksionalitet të gjerë, pengimin e shërbimeve celulare të transmetimit "cloud", kufizimin e portofolëve dixhitalë të palëve të treta dhe "zvogëlimin e funksionalitetit" të orëve inteligjente që nuk janë prodhuar nga vetë Apple.