Nuk ndalen replikat në rrjetet sociale mes presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe aktorit të njohur Leonardo DiCaprio.
Bolsonaro i ka kërkuar aktorin amerikan, kritik i qeverisë së tij, “ta mbyllë gojën”.
Reagimi i udhëheqësit të ekstremit të djathtë vjen pasi DiCaprio u bëri thirrje votuesve brazilianë të votonin kundër rizgjedhjes së Bolsonaros si President.
“DiCaprio duhet ta dijë se vetë presidentja e OBT-së tha se, pa agrobiznesin brazilian, bota do të vdiste uria. Kështu që është mirë që DiCaprio të mbajë gojën mbyllur në vend që të flasë marrëzi”, tha Bolsonaro.
Konflikti mes DiCaprios dhe Bolsonaros daton që prej vitit 2019, kur një zjarr masiv përfshiu pyjet e Amazonës.
Bolsonaro e akuzoi yllin hollivudian se ka financuar zjarret në Brazil, një akuzë që aktori e hodhi poshtë.
Në Twitter, DiCaprio ndiqet nga 19, 6 milionë persona, ndërsa faqja zyrtare e Bolsonaro ndiqet nga 7.8 milionë persona.