Fotografi brazilian Sebastião Salgado, i shquar për fotografitë dramatike bardh e zi të Amazonës, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.
Vdekja e tij u konfirmua nga Instituto Terra, organizata jofitimprurëse për restaurimin mjedisor që ai themeloi me gruan e tij prej gjashtë dekadash, Lélia Wanick Salgado. Në një postim në Instagram, instituti e përshkroi Salgadon si "shumë më shumë sesa një nga fotografët më të mëdhenj të kohës sonë".
Akademia Franceze e Arteve të Bukura, anëtare e së cilës ishte Salgado, e përshkroi atë si një "dëshmitar të madh të gjendjes njerëzore dhe gjendjes së planetit".
"E di që nuk do të jetoj shumë më gjatë", tha Salgado në një intervistë vitin e kaluar. "Por nuk dua të jetoj shumë më gjatë. Kam jetuar kaq shumë dhe kam parë kaq shumë gjëra."
Salgado jetoi në Paris për shumë vite dhe filloi t'i përkushtohej plotësisht fotografisë në vitin 1973, vite pas diplomimit të tij në ekonomi.
Stili i tij karakterizohet nga imazhe bardh e zi, tonalitet i pasur dhe skenarë të ngarkuar emocionalisht. Komunitetet e varfra ishin ndër interesat e tij kryesore.
Ndër veprat e tij kryesore janë seria e fundit “Amazonia”; “Punëtorët” që tregon punën e rëndë në të gjithë botën; dhe “Eksodi” (i njohur edhe si “Migrime” ose “Sahel”) që dokumenton njerëzit në tranzit, përfshirë refugjatët dhe banorët e lagjeve të varfra.
Bashkë me gruan e tij, Salgado njihet gjerësisht në internet edhe si çifti që mbollën plot 4 milionë pemë për 18 vite, duke formuar një masiv pyjor gjigant në një zonë të shpyllëzuar të Brazilit.
