Katër fëmijë janë gjetur të gjallë në xhunglën e Amazonës më shumë se një muaj pasi avioni i tyre u rrëzua. Sipas zyrtarëve të policisë kolumbianë ata mbijetuan duke ngrënë miellin e kasavës (një bimë që kultivohet në rajonet tropikale dhe subtropikale për zhardhokët e saj të ngrënshëm me rrënjë niseshteje dhe një burim kryesor i karbohidrateve).
Fëmijët hëngrën rreth 3 kilogramë miell kasava që përdoret zakonisht nga fiset indigjene në rajonin e Amazonës.
Zyrtarët theksojnë se fëmijët mbijetuan edhe për shkak të origjinës së tyre indidgjene, pasi kishin njohuri për xhunglën, duke ditur se çfarë të hanë dhe çfarë të mos hanë, si dhe gjetja e ujit i mbajti ata gjallë, gjë që nuk do të ishte e mundur nëse ata nuk ishin mësuar me atë lloj mjedisi armiqësor.
Ata u transportuan në një spital në kryeqytetin kolumbian Bogota dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nëna e tyre humbi jetën në rrëzimin e avionit më 1 maj, duke i lënë ata vetëm dhe të bllokuar në xhunglën e Amazonës.
Më shumë se 100 trupa të forcave speciale kolumbiane dhe mbi 70 skautë indigjenë u angazhuan në një operacion masiv kërkimi.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro, i cili vizitoi fëmijët në spital të shtunën, tha se mbijetesa e tyre “do të mbahet mend në histori”. “Ata janë fëmijë të xhunglës dhe tani janë fëmijë të Kolumbisë”, tha Petro.