Vazhdon gara kundër kohës në Iranin qendror. Ushtria amerikane po kërkon me dëshpërim pilotin e dytë të gjuajtësit F-15E, i cili u rrëzua të premten në provincën Kohgiluyeh.
Ndërsa një anëtar i ekuipazhit u shpëtua me sukses në një operacion rrufe, fati i kolegut të tij mbetet mister. Teherani ka ofruar zyrtarisht një shpërblim prej 60 mijë dollarësh për kapjen e tij, nëse është gjallë.
Rrëzimi i këtij avioni shënoi një të premte të zezë për Pentagonin, ku u konfirmua edhe humbja e një avioni të dytë bombardues, një A-10 Warthog, i goditur mbi Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, piloti i këtij të fundit arriti të katapultohej jashtë territorit iranian dhe është shpallur i shpëtuar.
Situata këtë të shtunë është përshkallëzuar me sulme të reja. Izraeli ka nisur një valë masive bombardimesh mbi infrastrukturën në Teheran dhe Damask. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në veri të kryeqytetit iranian, ndërsa një raketë ka rënë rrezikshëm pranë centralit bërthamor të Bushehrit, duke lënë të vdekur një roje sigurie.
Në veri të Izraelit, sistemi i mbrojtjes raketore u aktivizua sërish pas një vale të re raketash nga Irani dhe Libani. Ndërkohë, inteligjenca amerikane paralajmëron se është “e pamundur” që Teherani të hapë Ngushticën e Hormuzit pa një marrëveshje me Uashingtonin, pasi kontrolli i kësaj rruge mbetet leva e vetme e regjimit.
Në rrafshin diplomatik, një burim i lartë nga Teherani deklaroi për RIA Novosti se Irani është gati të tërhiqet nga konflikti vetëm nëse njihet e drejta e tyre për zhvillimin e programit bërthamor për qëllime paqësore dhe hiqen të gjitha sanksionet. Deri atëherë, lufta në Gjirin mbetet në pikën e saj më të nxehtë.