Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për BBC, ku ka folur për tensionet në veri të Kosovës. I pyetur rreth mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, Kurti e la të hapur si mundësi, ndërsa kërkoi fillimisht që bandat e dhunshme të kthehen në Serbi ose të shkojnë në burg.
“Jam i gatshëm të dëgjoj propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi të vendoset sundimi i ligjit në vend”, tha ai.
Ndër të tjera, ai theksoi se kryetarët e komunave janë në zyrat e tyre dhe se nuk do të largohen nga aty.
“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët për kë duhet të shërbejnë atëherë. Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe”, tha ai.
Duke sqaruar se ka një marrëdhënie të mirë me aleatët, SHBA-BE, kryeministri theksoi se ai nuk mund të bëjë kompromise për Kosovën.
“Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demokracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviçit”.
Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të vendit ka qenë një nga kërkesat e vetë Bashkimit Europian. Kjo krahas dy kërkesave tjera, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe nisjen e punës për themelimin e Asociacionit.