Kosova kriminalizon "Testin i Virgjërisë", nga sot përbën vepër penale

12 October 2022, 19:10Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kosova kriminalizon "Testin i Virgjërisë", nga sot
Foto ilustruese

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kriminalizojë kryerjen e testit të virgjërisë në vend. Sipas kodit të ri që qeveria votoi sot, kryerja e testit të virgjërisë do të konsiderohet vepër penale, pasi cilësohet si shkelje e të drejtave të njeriut.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar sot ndryshimin në Kodin Penal, përmes së cilit parashihen dënime më të ashpra për të dënuarit për dhunë në familje, sulm seksual e dhunimit. Një pjesë e rëndësishme e këtij kodi përveç masave ndëshkuese për dhunuesit është edhe llogaritja si vepër penale e testit të virgjërisë.

Ministria e Drejtësisë, përmes së cilës kanë kaluar ndryshimet në këtë kod, konsideron se kërkimi i këtij testi do të sanksionohet pasiqë kërkimi i tij shkel të drejtat themelore.

“Po ashtu është paraparë si vepër e re penale Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut”, thuhet te masat ndëshkuese që ka publikuar këshilltari i Ministres Albulena Haxhiu, Flamur Pireva.

“Andaj synojmë që të sigurohet rritja dhe përputhshmëria e kornizës ligjore të Kosovës me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat i ndalojnë kontrollimet e detyruara të virgjërisë ka bërë ndryshimet e nevojshme në këtë aspekt”, thuhet më tej tek masat ndëshkuese.

Përveç kësaj, me kodin e ri të dënuarit për sulm seksual dhe dhunë në familje, do të përballen me masa të rënda sipas ndryshimeve të Kodit Penal. Atyre parashikohet t’u ndalohet kandidimi në pozita publike në periudhën nga 3-10 vjet në të gjitha nivelet. Gjithashtu atyre do t’u ndalohet edhe marrja e patent shoferit.


Video