Haradinaj duartroket marrëveshjen pa firmë, por Vjosa Osmani nuk ka asnjë pritshmëri nga Serbia

19 March 2023, 19:22Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Haradinaj duartroket marrëveshjen pa firmë, por Vjosa Osmani nuk ka
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha nëpërmjet një deklarate për median se tani që palët janë dakordësuar edhe lidhur me aneksin e marrëveshjes bazë, pret të realizohen zotimet e aleatëve në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse.

“Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, tha Osmani.

“Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet. Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”.

Haradinaj duartroket marrëveshjen: Kosova, drejt NATO-s dhe BE-së

Ndërsa, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha fjalët më të mira për marrëveshjen e Ohrit, gjate një takimi me diasporën ne Zvicër. Pritshmëritë për Kosovën në NATO dhe BE janë më të sigurta falë aleatëve, tha ai.

“Kemi një marrëveshje, që shumica po e kritikojnë. Por mos harroni, çështjen e marrëdhënieve të mira me Serbinë nuk e kemi kryesore. Ne dëshirojmë paqe me Serbinë, ndërsa marrëdhënie të mira ne duam me Amerikën, Europën. Amerikanët e mirëpresin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO. Rruga jonë drejt BE-së ka qenë e pamundur pa ditën e djeshme. Kandidaturën tonë për në Këshillin e Europës i kemi në pritje, statusin e vendit kandidat e kemi në pritje, liberalizimin e vizave e kemi në pritje, e jo vetëm kaq, edhe investimet, i kemi në pritje”, tha Haradinaj gjatë një takimi në Zvicër me pjesëtarë të diasporës.


Video